Zgjedhjet e sotme janë vlerësuar si më të qetat dhe më demokratiket deri më tani, deklaroi përfaqësuesi i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski.
“Me krenari e them se zgjedhjet e sotme ishin më të qetat dhe më demokratiket deri më tani. Sot dëshmuam se kur institucionet funksionojnë, demokracia është në rritje”, tha ai gjatë një deklarate për mediat.
Sipas Milloshoskit, në mbarë Maqedoninë janë denoncuar 91 raste të shkeljeve të mundshme, kryesisht që lidhen me blerjen dhe fotografimin e votës. Deri tani janë arrestuar 11 persona; katër prej tyre janë liruar, ndërsa shtatë të tjerët ndodhen ende në procedurë hetimore.
Milloshoski theksoi gjithashtu se për herë të parë pas 20 vjetësh, partia e tij pritet të fitojë postin e kryetarit të komunës në Strumicë – një bastion tradicional i kundërshtarëve politikë.
Sa i përket garës në Qytetin e Shkupit, ai u shpreh optimist për kandidatin e VMRO-DPMNE-së, Orce Gjeorgjievski, duke thënë se pritet një avantazh i ndjeshëm. “Ka gjasa që vetëm disa mijëra vota të jenë vendimtare për të përcaktuar nëse ai do të fitojë që në raundin e parë,” shtoi ai.