
Shkrimtari Milazim Krasniqi ka shprehur solidarizimin me Shtëpinë Botuese “Logos A”, të cilën e konsideron si njërin nga institucionet më iluminuese ndër shqiptarët sot. Profesor Krasniqi e kritikon këtë fushatë të presioneve tinëzare të qeveritarëve antishqiptarë të Shkupit.
“Në ambientin kulturor e shoqëror shqiptar, ‘Logos A’ është identifikuar si armik i injorancës së ntrashur, nga periudha e gjatë e pushtimit serb dhe e sundimit komunist, që pati si pasojën më të rëndë çmoralizimin e shoqërisë. Botimi i autorëve dhe veprave që kanë vlera të larta morale e fetare, shkencore e artistike, është një ndihmesë në shërimin e plagëve të rënda që kanë mbetur nga periudha e errët e çmoralizimit dhe defetarizimit të shqiptarëve”, ka thënë publicisti i mirënjohur Milazim Krasniqi.
Profesor Krasniqi vlerëson se mrekullia e këtij botuesi nuk ka nevojë të pret të rizbulohet pas mijëra vjetësh, për të na habitur me vlerat e tyre, si shkrimet sumere e babilonase. Sipas tij, këtë mrekulli e kemi te dora dhe mjafton vetëm vullneti që të komunikojmë me të e të ndjejmë se nuk jemi vetëm, në përpjekjen tonë për fisnikërim dituror e për përkryerje morale.
“Të gjithë njerëzit e Logosit kanë merita për këtë mrekulli të vlerave që i kemi te dora. Natyrisht, më meritori është Adnani, që është timonieri i kësaj ecjeje të zorshme përpjetë. Por, meqë ai është modest, gjë që flet për vlerën e tij të vërtetë, nuk po e veçojmë nga të tjerët. Mjaft e ka kënaqësinë e suksesit të projektit të vet”, ka thënë më tej ai.
Shkrimtari Milazim Krasniqi shkruan se përzgjedhja e librave që Shtëpia Botuese Logos A ofrohen në treg ndjek rregullin që t’i shërbehet të vërtetës, duke e ndihmuar njeriun të aftësohet e të marrë vendime të drejta në jetën e tij.
Enis Murtezi /SHENJA/
Milazim Krasniqi: “Logos-A” nën presion të… by tvshenjaofficial

