Të enjten, më 12 mars, sekretari gjerman i shtetit për Çështje Evropiane, Mihael Rot do të marrë pjesë në debatin e Komitetit për Çështje Evropiane në Parlamentin holandez. Komiteti paralajmëroi se në këtë debat do të flitet, midis tjerash për temat aktuale evropiane, për zgjerimin drejt Ballkanit Perëndimor, njofton korrespondentja e MEDIAL-s.
Komiteti për Çështje Evropiane i Holandës në fund të shkurtit e shqyrtoi metodologjinë e re të Komisionit Evropian për zgjerimin ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Ky trup do t’i shqyrtojë mini raportet e Komisionit Evropian për vendin tonë dhe Shqipërinë më 17 mars.
Burime të MEDIAL-s thonë se pritet ky Komitet të ketë debat me temë zgjerimi edhe me ministren franceze për Çështje Evropiane, Ameli de Monshalen.
Holanda u ndal pas Francës në tetor të vitit të kaluar kur u bllokua vendimi për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Që të mundet Qeveria holandeze ta japë dritën e saj të gjelbër për negociatat më 26 mars në samitin e BE-së në Bruksel, ajo duhet ta ndjekë qëndrimin e Parlamentit holandez. Vitin e kaluar Parlamenti holandez i miratoi negociatat me Maqedoninë e Veriut, por ishte kundër negociatave me Shqipërinë.



