Pjesë e bisedimeve me Bullgarinë nuk është vetëm ndryshimi i Kushtetutës dhe përfshirja e bullgarëve në të, thotë kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski. Kryeministrin Kovaçevski e quajti administrator i cili ka humbur mundësinë historike për unitet kombëtar, i cili, sipas Mickoskit është më se i nevojshëm.
“Ky refuzim i dorës së shtrirë për unitet kombëtar do të thotë vetëm një gjë – se Kovaçevski në vend që të jetë në koalicion me popullin dhe në anën e interesave kombëtare shtetërore, ai është në koalicion me Bullgarinë dhe vazhdon të jetë “shërbëtor” dhe mbrojtës i politikave të zaevizmit, politikë kjo e cila te ne u mposht ashpër nga populli”, tha Mickoski.
Mickoski shton se pushteti është duke përgatitur tradhti kombëtare, kurse në tavolinë janë gjuha maqedonase, historia dhe ekzistenca e popullit maqedonas në kuptimin dhe kontekstin historik dhe politik.
Kjo që po gatuhet në kuzhinat e zaevizmit do të jetë shkatërruese për identitetin dhe ekzistimin e popullit dhe shtetit tonë”, shton Mickoski.
Si dëshmi për këtë, Mickoski e ceku, siç thotë, shmangien e pushtetit për ta mos mbështetur Deklaratën për Goce Dellçevin në Kuvend.
E kryeministrat Dimitar Kovaçevski dhe Kirill Petkov u takuan në margjina të Konferencës së Sigurisë në Mynih, nga ku paralajmëruan intensifikim të bashkëpunimit dhe dialogut.
“Të dy kryeministrat e vlerësojnë si pozitive punën e grupeve të ekspertëve, komunikimin e realizuar dhe bashkëpunimin sektorial si metodë efektive për thellimin e marrëdhënieve dhe ngritjen e nivelit të dialogut politik. Ata shpresojnë se bashkëpunimi dhe dialogu sjellin përfitime të mëdha për qytetarët dhe çojnë drejt një zgjidhjeje dhe të ardhmeje të përbashkët evropiane”, thonë nga Qeveria.
Ish-Presidenti bullgar, Petar Stojanov në një intervistë televizive tha se Bullgarisë i është kujtuar shumë vonë që të bisedojë në temën “Maqedonia e Veriut”.
“Ne duhet të vazhdojmë t’u ndihmojmë Maqedonisë dhe Shqipërisë për t’i plotësuar kriteret për anëtarësim. Marrëdhëniet tona me Maqedoninë nuk ndalen këtu. Këtë duhet ta kemi të qartë”, deklaron Stojanov.
Kah fundi i këtij muaji Presidenti Stevo Pendarovski do të udhëtojë në Sofje, ku do të takohet me homologun e tij bullgar, Rumen Radev.