Në kuadër të vizitës zyrtare në Londër, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, zhvilloi një takim me madhërinë e tij, Mbretin Charles III.
Gjatë takimit, Mickoski theksoi rëndësinë e miqësisë dhe partneritetit afatgjatë mes Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe diskutoi mbi stabilitetin, zhvillimin dhe mbrojtjen e natyrës – fusha të cilave Mbreti Charles u kushton vëmendje të veçantë.
“Kjo është një shenjë mirënjohjeje dhe respekti, por edhe një nxitje për të vazhduar në rrugën e vlerave të përbashkëta, besimit dhe partneritetit,” shkroi Mickoski në një postim në Facebook, duke ndarë momente nga takimi me monarkun britanik.
Vizita në Londër zhvillohet në kuadër të Samitit për Ballkanin Perëndimor – Procesi i Berlinit, ku Mickoski do të mbajë takime të tjera të nivelit të lartë, të fokusuara në bashkëpunimin strategjik ekonomik dhe infrastrukturor me Mbretërinë e Bashkuar.
Në delegacionin qeveritar që shoqëron kryeministrin bëjnë pjesë zëvendëskryeministri Aleksandar Nikolloski, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski, ministrja e Financave Gordana Koçoska Dimitrieska, dhe ministri për Integrime Evropiane Orhan Murtezani.
Objektivi kryesor i vizitës dyditore është forcimi i bashkëpunimit rajonal përmes Procesit të Berlinit – nismë e lansuar në vitin 2014 nga ish-kancelarja gjermane Angela Merkel për të nxitur integrimin politik, ekonomik dhe infrastrukturor të Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian.
Samiti i këtij viti, i organizuar nga kryeministri britanik Keir Starmer, do të përmbledhë rezultatet e deritanishme dhe do të përcaktojë prioritetet e reja për periudhën e ardhshme të integrimit rajonal.(INA)