Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, sot duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me atë se LSDM-ja vazhdon me qëndrimin se Gruevski duhet të mbajë përgjegjësi dhe për mesazhin ndaj opozitës, deklaroi:
„Epo, unë lidhur me atë temë, atë që kisha për të thënë e thashë gjatë ditës së djeshme dhe nuk kam çfarë të shtoj. Duhet të kemi kushte të barabarta për të gjithë në shtet, pa marrë parasysh se kush ka qenë, si ka qenë, nëse dikush është funksionar i lartë aktual apo ish-funksionar, dhe këtu nuk duhet të ketë asnjë dilemë askush. Të paktën përderisa është kjo Qeveri dhe përderisa unë jam kryetar i Qeverisë.
Por, ajo që shqetëson është fakti se opozita ende nuk e ka mësuar mësimin. Dhe ende jetojnë në atë botën e tyre paralele, andaj nuk mund të dëgjoni asnjëherë, le të themi, t’i bëjnë thirrje Vasko Kovaçevskit që të kthehet dhe të përballet me drejtësinë. Dhe çuditem pse në konferencat e tyre për shtyp, nëse dëshirojnë dhe planifikojnë të jenë alternativë reale e kësaj Qeverie, nuk mund ta gjeni emrin e Vasko Kovaçevskit dhe t’i bëjnë thirrje gjithashtu që të kthehet e të përballet me drejtësinë.
Më tej, gjithashtu pres nga kjo opozitë e njëjtë që të jetë kështu kritike dhe të sillet kështu në mënyrë kritike siç sillet tani, kur kam ndjesinë se së shpejti funksionarë të lartë nga qeveria paraprake e LSDM-së, ish-kryeministra, kryetarë qeverie, të afërm të familjeve të tyre e kështu me radhë, do të përfshihen nga ndjekje të caktuara. Kam një ndjesi, nuk po them se kam informacione, kam një ndjesi. Pres që edhe atëherë kur kjo të ndodhë, po ashtu do të kenë konferenca të tilla për shtyp dhe atëherë nuk do të thonë se është përndjekje politike, por të njëjtët do t’i thërrasin të përgjigjen para organeve, gjegjësisht të vërtetojnë pafajësinë e tyre”.


