Takimi Mickoski-Radev në Budapest nuk u realizua. Megjithatë, presidenti bullgar në fjalimin e tij në Samitin e Bashkësisë politike europiane tha që Unioni t’i kushtojë më shumë vëmendje procesit të zgjerimit. Ai tha se ky proces do ta garantojë sigurinë e Ballkanit perëndimor duke shtuar se çdo vend kandidat, për t’u bërë anëtar duhet të ndërtojë marrëdhënie të mira me fqinjët dhe t’i plotësojë detyrat ndërkombëtare dhe vendimet e Unionit. Nga ana tjetër, autoritetet vendase u kthyen me optimizëm për eurointegrimet, sidomos pas takimit dypalësh të kryeministrit Mickoski me presidentin e Francës Emanuel Makron.
Detaje nga takimi por edhe arsyet për optimizmin tani për tani nuk zbulohen. Mickoski tha se me Makron ka folur për zhbllokimin e procesit por edhe se pas Samitit në Budapest është optimist se, siç tha, do të bëhemi.
Përderisa autoritetet në Budapest ndërtonin pozita për garanci se në të ardhmen nuk do të ketë çështje dypalëshe në procesin negociues, eurokomisarja e ardhshme për zgjerim, Marta Kos, në Bruksel theksoi se pret që Maqedonia ta ndryshojë Kushtetutën, asgjë më shumë e asgjë më pak.