Kryetari i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski, deklaroi të enjten se nuk është optimist për zgjidhjen e kontestit me Sofjen derisa pala bullgare, sipas tij, mohon identitetin, gjuhën dhe kulturën maqedonase, apo deri sa të insistojë se “kemi histori të përbashkët që nga Mesjeta e deri në vitin 1945, apo se ne kemi qenë bullgarë”.
Kryetari i VMRO-DPMNE-së tha se dëshiron marrëveshje me palën bullgare, marrëveshje e cila, sipas Mickoskit, nuk do të ishte e njëanshme apo që do të shkelte mbi dinjitetit e palës maqedonase.
“Dua të jem optimist. Ne jemi gjithmonë optimistë se do të ketë një marrëveshje të denjë, se marrëveshja nuk do të jetë e njëanshme, por do të jetë vërtet proporcionale. Por, për fat të keq kjo nuk ka ndodhur deri më tani, megjithëse më herët u binda se i kanë zgjidhur të gjitha problemet me fqinjët. Shohim që problemet me fqinjët nuk zgjidhen, përkundrazi. Nuk mund të pranojmë që kemi qenë bullgarë deri në vitin 1945, pra nga Mesjeta deri në 1945 që kemi një histori të përbashkët dhe se ne ishim bullgarë. Gjithçka tingëllon paksa paradoksale”, tha Mickovski, teksa komentoi zhvillimet e fundit midis dy vendeve.
Historianët maqedonas dhe ata bullgarë gjithashtu kanë shprehur pikëpamje diametralisht të kundërta për gjuhën dhe identitetin maqedonas.



