22 Dhjetor
Delegatët në Kongresin e 16 të VMRO-DPMNE-së do të mund të zgjedhin vetëm emrin e një kandidati. Hristijan Mickoski do të jetë kandidati i vetëm për postin e kryetarit. Komiteti Qendror mbrëmë ka konstatuar kandidaturën e tij, duke hedhur poshtë njëkohësisht një kandidaturë e cila sipas njoftimit të VMRO-së, nuk ka plotësuar kushtet juridike për të qenë e valide. Mickoski duke mos dashur të komentojë përçarjet e brendshme në lidhje me kandidaturën e tij tha shkurt se si kryetar i ardhshëm do të ketë parasysh kapacitetin e deputetëve dhe kolegëve të cilët kërkuan shtyrjen e Kongresit partiak.
Kemi luftuar bashkë për shumë beteja partiake, kështu që kapaciteti i tyre do të shfrytëzohet maksimalisht edhe në të ardhme, me qëllim që tëmposhtim kundërshtarin, në këtë rast politikën destruktive dhe të dëmshme, tashmë shtatë mujore të cilën po e udhëheq Qeveria e LSDM-së- deklaroi kandidati Hristijan Mickoski.
Por të kundërtën thonë deputetët të cilët kërkuan që Kongresi të mbahet në fund të muajit shkurt dhe të rritet numri i delegatëve. Antonio Milloshovski deklaroi se nuk do të merr pjesë në kongres, ndërsa kolegu i tij Ilija Dimovski kërkoi që partia të fillojë të respektojë mendimin ndryshe.
Fakti që ka vetëm një kandidat është shqetësues dhe nuk është pozitiv për imazhin e partisë. Shpresoj se partia do ta kuptojë nevojën e një koncepti të ri- u shpreh i pakënaqur lija Dimovski, deputet i VMRO-DPMNE-së.
Nuk dihet nëse iniciativa për shtyrjen e Kongresit ku bën pjesë edhe ish kreu i Kuvendit Trajko Veljanovski dhe disa nga themeluesit e partisë, ka sjell vendim apo jo që të bojkotohet Kongresi. Në ndërkohë që Kongresi të jetë i vlefshëm nevojitet prezenca e 2/3 të delegatëve, ndërsa kandidati për kryetar të votohet nga shumica prezente. Për këtë Kongres të jashtëzakonshëm, numri i delegatëve arrin në 544.
Adrian Kerimi

