Nëse duam të ketë drejtësi duhet shkatërruar koalicioni mes disa politikanëve, gjyqtarëve, prokurorëve dhe elitës së biznesit. Kjo është porosia e kryeministri Hristijan Mickoski i cili mbajti një ligjëratë në Universitetin Xhon Hopkins të SHBA-së.
“Ne duhet të ballafaqohemi me krimin dhe korrupsionin nëse duam të zhvillojmë shtetin tonë për brezin e ardhshëm. Ka një koalicion të madh ndërmjet elitave të caktuara politike, gjykatësve, prokurorëve dhe elitave të biznesit dhe ne duhet ta shkatërrojmë atë koalicion, nëse duam ta zhvillojmë shtetin tonë dhe nëse duam të sjellim drejtësi siç duhet të jetë. Në të kundërtën, do të dështojmë si të gjithë paraardhësit tanë dhe do të ishim humbës”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryeministër i Maqedonisë së Veriut.
Mickoski nuk ka lënë përmendur edhe çështjen më të nxehtë për reforma në gjyqësor, respektivisht për shpërndarjen e Këshillit të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, për çka, për shkak mospajtimeve u përplas me ambasadorët e BE-së dhe SHBA-së në vend, të cilët deklaruan se me këtë, pushteti ekzekutiv përzihet në punët e pushtetit gjyqësor.
Sipas deklaratës të cilën e citon Qeveria, i pari i ekzekutivit ka deklaruar se në vend ka ekspertë të cilët janë kundër idesë së shpërndarjes, por nuk ofrojnë zgjidhje. Ai ka deklaruar se do të luftojë për qëndrimet e tij, ndërkaq do të përballet me argumente me të gjithë ekspertët.
Derisa Mickoski është në përplasje me disa prej ambasadorëve dhe ekspertëve, ai nuk ka kursyer kritika për anëtarët e Këshillit, i cili para disa ditëve ju tha që duhet t’u vijë turp që marrin rroga dhe gëzojnë vetëm 2% të besimit të qytetarëve.
Pavarësisht thirrjeve dhe skepticizimit, shpërndarja e organeve të pavarura gjyqësore, i cili ishte premtim parazgjedhor i VMRO-DPME-së, është bërë pjesë e programit qeveritar. Në program, shkruan se Qeveria do të iniciojë edhe ndryshime të Kushtetutës në pjesën e rregullimit të përbërjes së këshillave, gjatë së cilës do të kërkohet që anëtarët të zgjidhen nga radhët e gjykatësve dhe prokurorëve.
Reformat në gjyqësor, përveç shpërndarjes së këshillave, qeveria ka premtuar se do t’i bëjë edhe nëpërmjet miratimit të ligjeve të reja Procedurë Penale, Gjykata dhe Prokurori, por edhe miratimit të Kodit të ri Penal. Nëpërmjet tyre, parashikohet të parandalohet ndikimi, nepotizmi dhe kronizmi në procedurat për zgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ndërkaq, do të kërkohet përgjegjësi edhe për gjyqtarët dhe prokurorët që janë shkarkuar për shkak të punës së papërgjegjshme. /Alsat.mk