Të gjithë ata që mendojnë se do të bashkohen në kartel do përgjigjen para ligjit. Ky është qëndrimi i kryeministrit Hristijan Mickoski për konkluzionet e Komisionit për mbrojtjen e konkurrencës për ngritjen e procedurës kundërvajtëse për “bashkimi karteli”. Drejtoria e Antimonopolit zbuloi se katër rrjete të marketeve – VERO, Tinex, KAM, Reptil – si dhe Lidhja e Odave ekonomike, kanë lidhur një marrëveshje për formimin e çmimeve, pra janë bashkuar në kartel.
“Të gjithë ata që mendojnë se do të bashkohen në kartel ka ligj dhe do të mbajnë përgjegjësi para ligjit. Të gjithë ata që mendojnë se në kurriz të popullit do të pasurohen, ne si Qeveri nuk do ta lejojmë këtë”, tha Hristijan Mickoski.
Komisioni për mbrojtjen e konkurrencës ka miratuar konkluzionet për fillimin e procedurës për kundërvajtje. Në dokumentin e Komisionit thuhet se marketet dhe Lidhja e Odave Ekonomike kanë mbajtur mbledhje në LOE në fillim të muajit shkurt, në të cilën, sipas konkluzionit të Komisionit Antimonopol, kanë lidhur marrëveshjen për formimin e çmimeve, përkatësisht janë bashkuar në kartel. Komisioni vlerëson se Lidhja e Odave Ekonomike është pjesëmarrëse në marrëveshjen eventuale të ndaluar. Sipas konkluzionit, individë nga LOE kanë gënjyer Komisionin dhe kanë fshehur informacione. Kryetari i Odës Tregtare pranë LOE-së, Sasho Dukoski, në emisionin Biznes21 i ka hedhur poshtë këto pretendime si të pasakta. Ai thotë se punojnë në mënyrë ligjore..
“Kartelet janë në vende tjera, këtu mund të paragjykojmë çfarë duam. Unë po ju them se nuk ka ndodhur asgjë e tillë, nuk është e vërtetë për asnjë bashkim, asnjë marrëveshje të fshehtë”, deklaroi Sasho Dukoski.
Komisioni për mbrojtjen e konkurrencës nuk do të japë asnjë informacion derisa po vijon afati, gjatë të cilit marketet dhe Oda mund të paraqesin argumentet e tyre, pas çka do të merret vendim përfundimtar nëse do të sanksionohen. Dënimet janë në shuma prej miliona euro, ose 10% e të ardhurave vjetore.