Izet Mexhiti, bashkëkryetari i koalicionit VLEN, ka përcjellë një mesazh inkurajues për qytetarët shqiptarë në Luginën e Preshevës, në prag të zgjedhjeve për Këshillin Kombëtar Shqiptar. Në thirrjen e tij, ai ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes masive dhe të mbrojtjes së të drejtave, gjuhës dhe kulturës shqiptare përmes votës.
Në vijim gjeni postimin e plotë të Izet Mexhitit:
“Të dashur shqiptarë të Luginës së Preshevës,
Nesër është një ditë e rëndësishme për përfaqësimin e shqiptarëve. Secili prej jush mund ta bëjë zërin e vet pjesë të këtij vendimi.
Këshilli Kombëtar Shqiptar ka rëndësi për gjuhën shqipe, arsimin e fëmijëve tanë, kulturën dhe të drejtat tona. Prandaj ka rëndësi pjesëmarrja. Ka rëndësi secili qytetar. Ka rëndësi çdo votë.
Dilni, merrni pjesë dhe votoni lirshëm, sipas bindjes suaj. Për përfaqësim të drejtë. Për gjuhën, kulturën dhe të ardhmen tuaj në vendlindje.
Nesër, le të dëgjohet zëri juaj. Dilni dhe votoni për Këshillin Kombëtar Shqiptar!”



