Në debatin televiziv “Top Tema” në TV Telma, kandidati i koalicionit qeverisës VLEN për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka hedhur akuza të drejtpërdrejta ndaj kundërkandidatit të tij, Bujar Osmani, duke e kritikuar për qëndrimet e tij mbi ndërtime pa leje dhe çështjet e urbanizimit.
Mexhiti theksoi se përpara nisjes së fushatës zgjedhore, partia BDI – përmes kryetares së Shkupit Danella Arsovska, partisë “Levica” dhe faktorëve të tjerë – ka tentuar të krijojë presion politik në favor të Osmanit, duke e përdorur temën e ndërtimeve pa leje si mjet fushate.
Sipas Mexhitit, megjithë këtë presion, të dhënat zyrtare tregojnë se Komuna e Çairit nuk është ndër komunat me numrin më të madh të ndërtimeve pa leje. “Çairi renditet i gjashti në Shkup dhe i dhjeti në nivel shtetëror për ndërtime pa leje. Ligji është respektuar deri në fund. Zoti Osmani i ka ngatërruar edhe lokacionet – apartamentet që përmend nuk janë në Çair, por në Vodno”, deklaroi Mexhiti.
Ai akuzoi më tej Osmanin për hipokrizi, duke pretenduar se vetë kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim jeton në një ndërtim pa leje.
“Zoti Osmani ka më së paku të drejtë të flasë për këtë temë, sepse jeton në një ndërtesë pa leje. Gjatë kohës kur ka qenë ministër, janë lejuar raste sociale të ndërtojnë, por ai vet ka përfituar në mënyrë të paligjshme – duke legalizuar shtëpinë e tij në një lagje elitare për vetëm një euro”, tha ai.
Duke e sfiduar publikisht Osmanin, Mexhiti shtroi pyetjen:
“Nuk e kam fjalën për shtëpinë e babait tënd në Seravë, ndërtuar në kohën e komunizmit, por për shtëpinë tënde në Fushë Topanë. A do të fillosh me rrënimin e ndërtimeve pa leje duke e shembur shtëpinë tënde?”
Mexhiti gjithashtu përmendi një rast të mëhershëm që sipas tij e komprometon Osmanin edhe në aspektin e korrupsionit, duke e lidhur me një proces në Gjykatën Speciale dhe duke përmendur nofkën “pacienti” që, sipas tij, lidhet me një çështje në Gjinekologjinë e Çairit.