Është për t’u theksuar rëndësia e diagnostikimit në kohë dhe trajtimit të duhur të diabetit si sëmundje e cila përfshin një grup të gjerë qytetarësh në vend, tha ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, në Ditën botërore të luftës kundër diabetit.
“Kemi pasur një vit ku u përballëm me shumë sfida, por patjetër duhet të theksoj se ministria e Shëndetësisë dhe komisioni kombëtar për diabet, në bashkëpunim edhe me shoqatat, punuan me mund për t’i zgjidhur me sukses po të njëjtat. Së bashku kemi kontribuuar për përmirësimin si në shëndetin e përgjithshëm, ashtu edhe në cilësinë e jetës së pacientëve me diabet”, shtoi ministri.
“Veçanërisht më vjen mirë se më në fund furnizuam 650 sensorë për matjen e glikemisë destinuar për fëmijët dhe të rinjtë deri në 18 vjet me diabet të tipit 1, gratë shtatzëna me diabet tip 1 dhe të verbrit me ndihmën e të cilëve është i mundur monitorimi i vazhdueshëm i glikemisë. Me këtë ne e rrisim ndjeshëm cilësinë e jetës së fëmijëve”, tha Mexhiti.
Ai shtoi se poashtu, me prezantimin e protokolleve të reja në mbrojtjen parësore shëndetësore, kontribuohet për ecuri më të mirë dhe monitorim të pacientëve me diabet nga ana e mjekëve amë, nga komplikimet që mund ti kenë si pasojë e sëmundjes.
“Krahas rritjes së mundësive diagnostike dhe terapeutike të mjekëve amë, ne kemi bërë të mundur që pacientët me diabet të marrin terapinë, dhe duke ditur rëndësinë e rregullimit të mirë të yndyrës në gjak në këtë grup pacientësh, në mënyrë të konsiderueshme ne i zvogëlojmë harxhimet e panevojshme të pacientëve. Me këtë kemi përmirësuar cilësinë dhe vazhdimësinë e kujdesit për të gjithë pacientët me diabet“, tha ministri.
Ai tha se si ministër i Shëndetësisë edhe në periudhën e ardhshme do mundohem që pacientët me diabet të kenë qasje deri te metodat më moderne të trajtimit. Sipas tij, është detyrë e jona si sistem shëndetësor, ndaj meje si ministre, ndaj kolegëve të mi mjekë, të mundësojmë një jetë më cilësore për personat që kanë diabet dhe të parandalojmë komplikimet nga e njëjta.
Ai iu drejtua Forumit në kuadër të shënimit të Ditës botërore të luftës kundër diabetit me titull “Të përballur me sfidat e diabetit në Maqedoni- veprojmë para se të bëhet i pariparueshëm”. Në forum, siç është paralajmëruar, janë paraqitur pikëpamjet e ekspertëve , para së gjithash për implementimin e programit kombëtar për diabet dhe gjatë vitit të ardhshëm do të bëhen konkluzionet dhe rekomandimet e duhura për veprim të përbashkët.