Kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka njoftuar se kanë nisur punimet për përmirësimin e infrastrukturës në rrugën “Dizhon 15”.
“Po realizojmë një ndërhyrje të plotë në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit fekal, me qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët e kësaj zone.
Projekti përfshin rekonstruimin e rrjetit kryesor të ujësjellësit në gjatësi prej 197 metrash, si dhe realizimin e 25 lidhjeve për amvisëritë. Paralelisht, do të bëhet edhe rekonstruimi i kanalizimit fekal në gjatësi prej 180 metrash.
Pas përfundimit të punimeve nëntokësore, rruga “Dizhon 15” do të asfaltohet, duke e kthyer këtë hapësirë në një segment më funksional dhe më të rregullt për qytetarët.
Ky investim realizohet me mjete të siguruara nga Qeveria, në kuadër të thirrjes së parë për mbështetjen e infrastrukturës lokale”, ka shkruar Mexhiti.

