Gjykata Kushtetuese gjatë ditës së sotme ka njoftuar se ka filluar procedurë për vlerësimin e Metodologjisë së Regjistrimit për vitin 2021, gjë që u inicua nga kryetari i Lëvizjes Populli, Skender Rexhepi – Zejdi.
Sipas njoftimit, me shumicë votash, Gjykata ka vendosur të zhvillojë procedurën për shqyrtimin e dispozitave kontestuese të Metodologjisë për përgatitjen, organizimin dhe realizimin e regjistrimit të popullsisë, amvisërive dhe banesave në Republikën e Maqedonisë së Veriut për vitin 2021.
“Shumica e gjykatësve dispozitat kontestuese i vënë në dyshim për ligjshmërinë e tyre, dhe nëpërmjet kësaj edhe për kushtetutshmërinë e tyre, sepse në bazë janë paraqitur dyshime se nëse drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave ka pasur bazë ligjore që t’i miratojë dispozitat kontestuese, gjegjësisht, a i ka tejkaluar autorizimet e tij dhe pa bazë ligjore, në akt nënligjor, ka urdhëruar “materia legis” – material ligjor.
Nëse në fazën e dytë vërtetohet dyshimi, kjo do të thotë edhe cenim i sigurisë juridike si parim fundamental i sundimit të ligjit dhe cenim të ndarjes së pushtetit, sepse është vënë në rolin e ligjvënësit”, thuhet në mes tjerash në njoftimin publik të Gjykatës Kushtetuese.
Përndryshe kryetari Rexhepi ka dorëzuar iniciativën në Gjykatën Kushtetuese më 29 tetor 2024, për Metodologjinë e Regjistrimit dhe ndarjen e rezidentëve dhe jorezidentëve.