Në një postim në rrjetet sociale, Ilir Meta shkruan se Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka publikuar një raport profesional dhe të paanshëm, i cili konstaton shkelje të rënda të të drejtave themelore njerëzore dhe politike gjatë qëndrimit të tij në paraburgim. Ai e cilëson këtë situatë si pjesë të një trajtimi që shkon përtej standardeve ligjore dhe demokratike, duke ngritur shqetësime për mënyrën e funksionimit të sistemit të drejtësisë dhe respektimit të të drejtave të të paraburgosurve në vend.
Meta thekson se paraburgimi nuk duhet të përdoret si instrument ndëshkimi apo presioni politik, por vetëm në raste të domosdoshme dhe për një periudhë të kufizuar, duke nënvizuar rëndësinë e respektimit të prezumimit të pafajësisë, procesit të rregullt ligjor dhe barazisë para ligjit.
Ai shton se gjetjet e raportit, sipas tij, nuk lidhen vetëm me rastin e tij personal, por pasqyrojnë një problem më të gjerë që prek sistemin e paraburgimit dhe standardet e trajtimit të të ndaluarve në Shqipëri.
Postimi i plotë:
Falenderoj Komitetin Shqiptar të Helsinkit për raportin profesional dhe të paanshëm, që konstaton shkeljet flagrante të të drejtave të mia themelore njerëzore dhe politike në paraburgim, i shndërruar nga Edi Rama në instrument ndëshkimi dhe persekutimi njerëzor dhe politik ndaj meje.
Këto konstatime të vërteta të KShH nuk flasin vetëm për standardet çnjerëzore të trajtimit tim në paraburgim, identike me standardet e rrëmbimit, hetimit dhe gjykimit tim si terrorist në kafazin “me 5 yje”, por për një realitet tronditës që prek të gjithë të paraburgosurit në vend, përfshi edhe gardianët që punojnë në kushte skandaloze.
Paraburgimi vlen vetëm në funksion të hetimit në raste ekstreme, kur është i domosdoshëm dhe për një kohë të kufizuar, por kurrë nuk mund të përdoret si instrument persekutimi njerëzor dhe politik, si dhe paracaktimi fajësie duke dhunuar procesin e rregullt ligjor dhe gjyqësor, parimin e prezumimit të pafajësisë dhe barazinë e palëve në proces.
Respektimi i Kushtetutës dhe Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, i të drejtave themelore dhe dinjitetit njerëzor, i prezumimit të pafajësisë, i barazisë para ligjit dhe të palëve në proces, si dhe garantimi i transparencës para publikut nuk janë privilegje, por detyrime ligjore dhe standarde minimale të një shteti të së drejtës dhe demokratik.
Është e domosdoshme që institucionet përgjegjëse të marrin masa të menjëhershme për zbatimin e rekomandimeve përgjithësuese të Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit për çdo person të privuar nga liria.






