Kandidati i pavarur për Komunën e Strugës, Mendi Qyra, ka kërkuar nga oponenti i tij nga radhët e AKI-së të mbajë fjalën dhe të japë dorëheqjen, duke i hapur kështu rrugën për marrjen e menaxhimit të komunës. Sipas Qyrës, ky proces pritet të mbyllet brenda dy javësh dhe ai e cilëson këtë sukses si një fitore të qytetarëve të Strugës dhe ekipit të tij.
Ai ka theksuar se ky sukses është arritur kundër tetë kandidatëve të tjerë dhe shpreson që qytetarët tani të kenë një vizion të qartë për udhëheqësin e ardhshëm të komunës. Mendi Qyra ka ripërsëritur se oponenti i tij ka dhënë fjalën se do të dorëhiqet dhe beson se ai do ta mbajë këtë fjalë dhe do të tërhiqet nga gara.
“Fuqia është në duart e qytetarëve që besojnë se ky qytet meriton më shumë dhe se ata janë ata që duhet të vendosin për të ardhmen e Strugës,” tha Qyra. Ai gjithashtu theksoi se besimi i qytetarëve është një faktor kyç në këtë proces, duke bërë thirrje për një përfundim të drejtë dhe të ndershëm.
Ky reagim vjen pas një periudhe të tensionuar në garën për drejtimin e komunës, ku përballë Qyrës ishin disa kandidatë të tjerë të mbështetur nga partite politike të ndryshme.(INA)