Shoqata e qytetarëve “16 Mars 2025” – Koçan, e themeluar nga prindërit dhe familjarët e fëmijëve që humbën jetën tragjikisht në zjarrin në diskotekën “Pulse”, ka reaguar publikisht ndaj peticionit që ditët e fundit po promovohet në rrjetet sociale dhe në një pjesë të mediave, i cili ka të bëjë me lokacionin e propozuar për vendosjen e memorialit në kryqëzimin e rrugëve “Vëllezërit Stavrev” dhe “Bregu i Revolucionit”.
Nga Shoqata theksojnë se kanë obligim të sqarojnë disa fakte kyçe që, sipas tyre, janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me mesazhet që përcillen në peticionin e nënshkruar nga 17 qytetarë.
Së pari, ata nënvizojnë se bëhet fjalë për hapësirë publike të gjelbër – park në pronësi shtetërore, i dedikuar për të gjithë qytetarët e Koçanit, dhe jo për pronë private apo “oborr të dikujt”, siç përpiqet të paraqitet në disa reagime publike.
Së dyti, prindërit theksojnë se vendosja e memorialit nuk e ndryshon destinimin e hapësirës. Shenja përkujtimore, siç thonë ata, nuk do të jetë ndërtim masiv apo objekt me funksion të ri, por një simbol diskret dhe dinjitoz kujtese, i ngjashëm me memorialet që ekzistojnë në shumë qytete të botës.
Së treti, ata hedhin poshtë pretendimet se memoriali do të jetë vend për vajtim të përditshëm.
Sa i përket vetë peticionit, nga Shoqata rikujtojnë se ai nuk ka peshë juridike në procesin vendimmarrës. Debati publik është legjitim dhe i mirëpritur, por vendimin përfundimtar për lokacionin, në përputhje me procedurat ligjore, e merr Këshilli i Komunës së Koçanit. Sipas tyre, presioni mediatik dhe fushatat e njëanshme nuk mund të zëvendësojnë vendimmarrjen institucionale.
Prindërit theksojnë gjithashtu se të drejtat e banorëve nuk janë ekskluzive.
Ata shtojnë se, nëse shumica e qytetarëve të Koçanit vlerëson se lokacioni i propozuar nuk është i përshtatshëm, do ta respektojnë atë vullnet, por njëkohësisht shtrojnë pyetjen nëse fëmijët e humbur meritojnë një memorial të përhershëm në një vend të dukshëm dhe të qasshëm, apo duhet të shtyhen në periferi – si në hapësirë, ashtu edhe në kujtesë.
Sipas Shoqatës, iniciativa për memorialin nuk është dëshirë private, por çështje me interes publik dhe akt i kujtesës kolektive për një tragjedi që shënoi të gjithë qytetin dhe shtetin. Ata e vlerësojnë si shqetësuese faktin që peticioni paraqitet si “zëri i qytetarëve”, ndonëse pas tij qëndron një numër i kufizuar individësh, gjë që, sipas tyre, e thellon edhe më shumë dhimbjen e familjeve.
“Kjo nuk është çështje komoditeti apo zakoni, por çështje dinjiteti, kujtese dhe ndërgjegjeje”, porosit Shoqata, duke u bërë thirrje mediave të informojnë me përgjegjësi dhe publikut të mos lejojë që dhimbja e familjeve të shfrytëzohet për sensacionalizëm apo presione.
Qytetarët e Koçanit mund të shprehin qëndrimin e tyre lidhur me iniciativën për vendosjen e memorialit përmes mjetit digjital të komunikimit “mZaednica”, ku është aktive një anketë për këtë çështje.


