Avokati i popullit, Ixhet Memeti në një intervistë për REL ka thënë se qytetarët në vitet e fundit janë të frikësuar nga gjyqësia, në vend që ta llogarisin si një aleat ku secili mund që të ketë drejtësi, transmeton Almakos.
“E madhe ishte nevoja që Republika e Maqedonisë të ketë një institucion nacional për mbrojtje dhe promovimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, e cila në këto rrethana duhet ende më shumë ta ruajmë dhe kultivojmë, pasi që i nevojitet tërë sistemit, e sidomos qytetarëve. Një këshilltar i obdusmanit suedez, institucion që ekziston qe 200 vite, ka thënë se gjëja më e mirë që mund t`i ndodhte Maqedonisë është krijimi i institucionit Avokati i Popullit. Ajo me të gjitha trendet dhe problemet shoqërore, megjithatë mendoj se pati sukses të rritet, ngadalë por sigurt dhe të bëhet e pjekur dhe një institucion i nevojshëm për shoqërinë tonë”, deklaroi ai.
Në pyetjen se si është gjendja momentale rreth shkeljes së lirive dhe të drejtave të njeriut në Maqedoni, Memeti tha se ka shumë probleme ku duhet punuar.
“Nëse shohim ndër vite, në këtë institucion kanë kaluar 123.000 qytetar që kanë kërkuar mbrojtje në këto 20 vite. Prej tyre, mbi 57.000 lëndë janë të hapura, që i prekin mbi 78.000 qytetar. Vetëm për shkak të asaj që janë drejtuar te institucioni Avokat i Popullit, mbi 17.000 qytetar kanë pasur sukses ose të mbrohen ose ta përmirësojnë të drejtën që iu është shkelur, që është një tregues se ky institucion me sukses po i ndihmon qytetarëve. Nga ana tjetër, nuk mund që të krenohemi ose të konstatojmë se në nivel solid është çështja në lidhje me pranimin e përmirësimit të sistemeve. Në këtë segment ende nuk pranohen rekomandimet e këtij institucioni”, deklaroi midis tjerash Memeti./Almakos/