Edhe deputetët e partisë Alternativa e kanë firmosur kërkesën për mbledhjen e Kuvendit dhe rikthimin e punës së organit më të lartë legjislativ në vend. Deputeti i kësaj partie Rexhep Memedim ka deklaruar në Emisionin “Enter” në televizionin SHENJA, se kjo kërkesë bazohet në disa norma kushtetuese.
REXHEP MEMEDI, PARTIA ALTERNATIVA
“Konform nenit 125, Kuvendi duhet të konfirmojë vendimet e Presidentit te Republikës sa i përket gjendjes së jashtëzakonshme. Pasi që ekziston mundësia që Kuvendi të mblidhet, ne kemi bërë kërkesën në bazë të rregullores që kryetari i Kuvendit të thirrë seancë që këto dy vendime për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme që ka marrë Presidenti më 18 mars dhe më 16 prill, ne në seancë të Kuvendit t’i konfirmojmë”.
Memedi shtoi se Kuvendi do ishte mirë të funksionojë që të luajë rolin mbikqyrës dhe kontrollues mbi Qeverinë e cila në këto rrethana merr vendime që kanë fuqi ligjore.
Ndërkohë, deputeti nga radhët e LSDM-së, Muhamed Zeqiri, i ftuar në emisionin “Enter”, ka deklaruar se e gjithë fuqia ekzkekutive dhe legjislative bie mbi Qeverinë, në kushte kur ende nuk ka një pajtueshmëri mes partive politike që Kuvendi të mblidhet sërish dhe duke pasur parasysh se jemi në gjendje të jashtëzakonshme për shkak të pandemisë Covid-19.
MUHAMED ZEQIRI, LSDM
“Qeveria, duke miratuar akte me fuqi ligji dhe gjithë fuqia do të ngelet tek Qeveria. Ministrat me kryeminsitrin do të jenë ata të cilët marrin vendime dhe qytetarët duhet t’i respektojnë”
Sipas Zeqirit, në këtë situatë Qeveria luan edhe rolin e Kuvendit.



