Ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, mori pjesë në një event përkujtimor të organizuar në prag të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, së bashku me kolegë ambasadorë nga Izraeli, Gjermania, Spanja dhe Bullgaria.
Ngjarja u organizua nga Qendra për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore, ku një moment i veçantë ishte rrëfimi prekës i znj. Efrat Baruch Altaraz për vogëlushen Rashela Sion nga Shtipi, që preku thellë të pranishmit.
Në fjalën e tij, ambasadori Meidani theksoi një fakt domethënës nga historia shqiptare: para Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri jetonin rreth 200 hebrenj, ndërsa pas Holokaustit ky numër u rrit dhjetëfish. Sipas tij, ky realitet mbetet një simbol i fuqishëm i solidaritetit, guximit moral dhe mbrojtjes së dinjitetit njerëzor.
“Këto momente na rikujtojnë se historia nuk është vetëm diçka që e mësojmë, por diçka që e mbajmë me vete”, u shpreh Meidani, duke shtuar se përkujtimi i Holokaustit nuk shërben vetëm për të nderuar të shkuarën, por edhe për të mbrojtur të ardhmen.
Ai falënderoi organizatorët dhe të gjithë ata që kontribuojnë në ruajtjen e këtyre historive, duke theksuar se kujtesa mbetet mburoja më e fortë kundër harresës dhe padrejtësisë.





