Ambasada e Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, me rastin e 28 Nëntorit, ka organizuar një ngjarje solemne, në të cilën ka pasur të ftuar të ndryshëm. Fjalim në këtë organizim mbajti ambasadori shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani.
Ai tha se nuk duhet të harrohet sakrifica dhe e kaluara, pasi sipas tij, një komb që e harron sakrificën dhe historinë, e humb dinjitetin dhe rrugën.
Ai foli edhe për shqiptarët e Maqedonisë, për të cilët tha se ata shkëlqejnë në çdo fushë.
“Më 28 Nëntor 1912 lindi Shqipëria e pavarur dhe atë ditë kur flamuri u valvit në Vlorë, lindi politikisht një shtet i një populli të lashtë sa vetë koha. Lindi një shtet që nuk do të shuhet kurrë. 29 Nëntori është dita kur Shqipëria u lirua nga pushtimi nazi-fashist. Këto dy data flasin për një popull që kurrë nuk pranoi të përkulet. Ne sot jemi këtu, sepse dikush dikur besoi, sakrifikoi dhe u flijua që ne sot të ecim ballëlartë”.
“Shqiptarët kanë aspiruar dinjitet, arsim, barazi dhe liri qytetare. Shqiptarët në RMV sot shkëlqejnë në kulturë, diplomaci, art, sport dhe kudo. Ata janë shpresë dhe progres. Popujt që harrojnë sakrificën, humbasin dinjitetin. Kombet që humbasin kujtesën, humbasin rrugën. Ne jemi këtu pasi besojmë se e ardhmja ndërtohet mbi vlera evropiane, pasi besojmë se kur nuk ka drejtësi, nuk ka paqe”, tha Meidani.
“Jetojmë në një rajon që e ka paguar çmimin e ndasive të konfliktit të frikës, Por besoj që Shqipëria dhe RMV po punojmë për të ndërtuar model të ri, model të fqinjësisë, të bashkëpunimit dhe vizionit evropian. Evropa nuk është stacion ku mbërrin, duke numëruar trenat që shkojnë e vijnë. Integrimi evropian nuk është ftesë për privilegj, por betim për përgjegjësi, reformë, transparencë dhe ligj”, tha Meidani./Telegrafi/


