Tranzicioni energjetik nuk është më çështje teknike, por sfidë brezash, porositën pjesëmarrësit në hapjen e Forumit energjetik në Maqedoni – MEF25. Nga Shkupi sot është dërguar porosi e qartë se Ballkani Perëndimor ka kapacitet të jetë lider, jo ndjekës në transformimin global të energjisë, por kjo kërkon vullnet politik, bashkëpunim rajonal dhe përfshirje të qytetarëve.
Në hapjen e MEF25, ministrja e Energjetikës, Sanja Bozhinovska, theksoi rëndësinë strategjike të Ligjit të ri për energjetikë dhe agjendës ambicioze të investimeve të Qeverisë, si hallkë kyçe për përshpejtimin e tranzicionit energjetik në Maqedoninë e Veriut.
“Ligji i ri për energjetikë mundëson liberalizimin e plotë të tregut të energjisë elektrike, gjë që do të stimulojë konkurrencën e ndershme dhe krijon hapësirë për investime të reja private”, tha ajo.
Ministrja theksoi se ligji përcakton rregulla të qarta për prodhimin dhe integrimin e burimeve të rinovueshme, që do të thotë procedurë më e lehtë për marrjen e licencave dhe parashikueshmëri më të madhe për investitorët, futjen e komuniteteve energjetike ku qytetarët dhe komunat do të jenë në gjendje të investojnë dhe prodhojnë së bashku energji të gjelbër, mekanizma më të fortë për mbrojtjen e konsumatorit përmes tarifave sociale dhe transparencës së çmimeve.
Bozhinovska prezantoi gjithashtu, siç tha ajo, “agjendën më ambicioze të investimeve” deri më tani e cila përfshin ndërtimin e objekteve të reja prej 1.6 gigavatë deri në vitin 2030, modernizimin dhe zgjerimin e rrjetit të transmetimit për integrim më të mirë të burimeve të gjelbra dhe forcimin e lidhjes rajonale.
Në kuadër të periudhës së tranzicionit drejt energjisë së pastër, ajo shtoi se është planifikuar edhe interkonektor i ri i gazit natyror me Greqinë, Serbinë dhe Kosovën, projekte të ruajtjes së energjisë dhe zhvillim të kapaciteteve të hidrogjenit të gjelbër.
“Tranzicioni energjetik kërkon mbështetje energjetike. Asnjë vend në Ballkanin Perëndimor nuk mund të ndërtojë i vetëm një të ardhme energjetike të sigurt, të pastër dhe të përballueshme”, nënvizoi ajo.
Ambasadori i BE-së në Shkup, Mihalis Rokas përshëndeti vendosmërinë e vendit për progres.
“Në Maqedoninë e Veriut shohim një vendosmëri për të ecur përpara. Gjatë vitit të kaluar, kam parë progres mjaft inkurajues, kemi një ministri të re, ligj të ri, është rishikuar plani kombëtar për energjinë dhe klimën dhe gjithashtu ekziston strukturë e qëndrueshmërisë dhe investimeve konform planit kombëtar të veprimit”, tha Rokas.
Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, theksoi dimensionet sociale dhe ekologjike të tranzicionit.
“Tranzicioni energjetik duhet të jetë ekologjik, social në natyrë dhe i drejtë në implementimin e tij. Ne duhet të gjejmë një strategji për të zvogëluar varësinë tonë nga qymyri dhe për të arritur qëllimet e Marrëveshjes së Parisit. Sot, Ballkani Perëndimor ka kapacitet të mos jetë ndjekës, por lider në tranzicionin energjetik”, theksoi Mexhiti.
Françesko La Kamera, drejtor i Agjencisë ndërkombëtare të energjisë së rinovueshme, theksoi nevojën për mobilizim global, ndërkaq Forumi u hap nga Agim Selami, drejtor ekzekutiv i MEF-it i cili theksoi se tranzicioni energjetik nuk është më çështje teknike, por sfidë politike, ekonomike dhe gjenerative.
Forumi energjetik në Maqedoni – MEF25 mbahet në hotelin “Hilton” në Shkup dhe do të zgjasë dy ditë. Ngjarja bashkon emra kryesorë nga politika, industria, shkenca dhe shoqëria civile me qëllim nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit për të përshpejtuar transformimin e energjetikës.
Në ditën e dytë është paralajmëruar pjesëmarrja e kryeministrit Hristijan Mickoski në panelin “Siguria energjetike dhe tranzicioni i Maqedonisë së Veriut drejt burimeve të rinovueshme”.