“Nga dita e sotme transporti publik në qytetin e Shkupit është normalizuar, nëpër stacionet e autobusëve nuk ka aq shumë qytetarë të cilët presin apo siç ishim mësuar të shohim në ditët e kaluara. Nga dita e sotme edhe transportuesit privat janë rikthyer dhe qarkullojnë në mënyrë normalë por se deri kur do të zgjasë e gjithë kjo, pritet të shohim në ditët në vijim”, raporton gazetari i Alsat, Avni Tahiri.
Qytetarët shpresojnë se kjo është dita që fillon normalizimin me transportin publik në Shkup, por përsëri kanë rezerva sa i përket asaj se sa do të zgjatë.
“Tani dola dhe për 10 minuta erdhi autobusi, momentalisht ka autobusë. Në Shutkë ka autobusë? Po, edhe në Shutkë ka sot, ka katër autobusë me numrin 19 dhe një me numrin 20. Tani e pyeta shoferin më tha që ka autobusë. Tani është normalizuar”, tha një qytetar.
“Sot ka autobusë apo? Po, po. Gjysmë të zbrazët qarkullojnë. Mirë është. Mendoni se do të zgjasë kështu? Nuk besoj se do të zgjasë jo. Kush do i paguaje ato privat, aty ka shumë para. Kjo do të zgjasë një apo dy muaj dhe pastaj prapë do të ndalët”, u shpreh një qytetar tjetër.
Sipas transportuesve privat të cilët janë rikthyer në qarkullim nga dita e sotme, do të presin fjalën finale nga Këshilli i Qytetit të Shkupit se çfarë do të vendoset për rritjen e pagesës për kilometër.
“Si shprehje e vullnetit të mirë ndaj qytetarëve që të mos ngrijnë në këto ditë të ftohta, pra vendosem të rikthehemi dhe t’i shërbejmë qytetarët. Nuk jemi me kapacitet të plotë për shkak të gjendjes financiare por aq sa mundemi jemi aktivizuar. Sa do të zgjasë e gjithë kjo? Çfarë pritni? Shpresat i kemi në seancën e radhës që do të mbahet më 27 nëntor, shpresojmë dhe apelojmë deri tek këshilltarët që të kenë mirëkuptim për gjendjen tonë dhe të ketë një zgjidhje”, tha Hisen Halili – Transportues privat.
Transporti në qytetin e Shkupit u normalizua pasi u mundësua që NQP-ja të merr karburante nga rezervat e naftës së Qeverisë deri në lidhje të kontratës së re me furnizuesin. Nga dita e sotme edhe transportuesit privat u rikthyen në qarkullim por edhe më tej presin rritje të pagesës për kilometër dhe vendimin që do të merret në seancën e radhës së këshillit të Qytetit të Shkupit./ Alsat.mk