Me 63 vota “për”, 35 “kundër” dhe pa asnjë të përmbajtur, Kuvendi zgjodhi mbrëmë zëvendësministrat në 16 dikastere qeveritare, transmeton Portalb.mk.
Për dallim nga eshaloni i parë qeveritar, kur për kabinetin e kryeministrit Dimitar Kovaçevski votuan 62 deputetë, eshaloni i dytë fitoi një votë më shumë nga shumica parlamentare, e cila në fakt numëron 64 deputetë. Gjatë zgjedhjes së ministrave, në seancën parlamentare dhe në aktin e votimit nuk mori pjesë Izet Mexhiti nga BDI, i cili konsiderohet si përfaqësues i “fraksionit” në parti dhe deputetja e LSDM-së, e cila në atë kohë ishte pozitive me kovid-19.
Disa nga zëvendësministrat që u zgjodhën mbrëmë janë të rinj, por shumica prej tyre deri tani kanë qenë në funksione.
Për zëvendësministër të mbrojtjes është zgjedhur Bashkim Hasani
Për zëvendësministër të Brendshëm Nazim Bushi
Për drejtësi Agim Nuhiu
Për punë të jashtme Fatmire Isaku
Në Ministrinë për financa, për zëvendës ministër është zgjedhur Filip Nikolloski
Në Ministrinë e Ekonomisë Zoran Manevski
Në Ministrinë e Bujqësisë Abdulshyqyr Abedini
Për zëvendës ministër i shëndetësisë është zgjedhur Vlladimir Rendevski
Në ministrinë për arsim dhe shkencë për zëvendës është zgjedhur Lulzim Aliu
Në ministrinë për punë dhe politikë sociale Enver Huseini
Për zëvendësministër për vetëqeverisje lokale është zgjedhur Zoran Dimitrovski
Për kulturë Daim Luçi
Për shoqëri informatike Aleksandar Bajdevski
Për transport dhe lidhje Bekim Rexhepi
Për mjedisin jetësor Hristina Oxhakievski
Në Ministrinë për sistem politik, zëvendës ministër është zgjedhur Xhabir Doko
Në fjalën përmbyllëse para deputetëve, kryeministri u shpreh se më e rëndësishme është që zëvendësministrat e sapozgjedhur të punojnë me ndershmëri, përkushtim, profesionalizëm dhe efikasitet.
“Kam kërkuar një matricë të tillë, një metodologji të tillë, një sferë të tillë pune, një kontroll dhe përgjegjësi të tillë dhe nuk do të heq dorë për të gjitha postet e larta qeveritare, si për ministrat ashtu edhe për zëvendësministrat. Siç e paralajmërova, ne kemi një plan – me afate, përgjegjësi, bartës detyrash dhe mënyrë për të matur efektet në jetën e qytetarëve. Qasja jonë është e qartë, e sinqertë dhe e matshme. Të gjitha punët – e kaluara, të tashme dhe të ardhshme i njoftoj qartë para publikut dhe pas tyre qëndroj, pasi imazhi im personal, përgjegjësia dhe sistemi i vlerave për mua janë kriteret kryesore dhe kërkoj që të tjerët të sillen në të njëjtën mënyrë”, tha Kovaçevski.
Nga ana tjetër, opozita akuzoi se mënyra se si janë propozuar zëvendësministrat është joprofesionale, disa prej tyre nuk kanë arsim dhe njohuri adekuate për pozitën e emëruar dhe se shumë prej tyre janë të pushtetit të kaluar, të udhëhequr nga Zoran Zaev. Ky funksion, sipas VMRO-DPMNE-së, është i panevojshëm dhe duhet shfuqizuar. Ata kërkuan sërish zgjedhje të parakohshme parlamentare, për shkak të keqmenaxhimit të krizës së shkaktuar nga pandemia.



