Nga Qerim LITA
Pjesa e parë
– Shpërngulja e shqiptarëve në vitet 1912-1939 dhe reagimi i shtetit shqiptar –
Memorie.al / Me shpërthimin e Luftës së Parë Ballkanike, tërheqjen e Perandorisë Osmane dhe pushtimin e tokave shqiptare nga aleanca ortodokse ballkanike, rifilloi procesi i shpërnguljes së popullsisë shqiptare nga trojet e tyre etnike, për në Republikën e Turqisë. Dokumentet e zbuluara kohët e fundit, hedhin dritë se brenda vitit 1912 – ‘13, ushtritë pushtuese serbo-malazeze dhe greke, dëbuan me dhunë mbi 200.000 shqiptarë, pjesa dërrmuese e tyre u vendosën në Stamboll, Anadoll dhe në vise të tjera të Turqisë. Ndërsa, sipas një llogaritjeje të bërë nga Legata Shqiptare e Ankarasë, në vitin 1928 në Turqi, gjendeshin 27 – 30.000 familje shqiptare, të shpërngulura nga Kosova, trevat Lindore dhe Çamëria, duke përfshirë edhe ata shqiptarë që kishin emigruar pas vitit 1913.
Tërë ajo politikë e dhunshme që zbatohej asaj kohe nga pushtuesit serbo-malazezë, kishte një qëllim të vetëm: “Të ndryshohet me çdo çmim karakteri etnik në krahinat ku banojnë shqiptarët”. Si shembull po e përmendim ngjarjen tejet të shëmtuar, që ndodhi në pranverë të vitit 1913 në Kërçovë, kur çetnikët serbë, pasi e kanë rrethuar tërë qytetin, futen nëpër shtëpitë shqiptare, ku i marrin të gjithë meshkujt dhe i dërgojnë për t’i ekzekutuar në vende të veçanta.
Një pjesë prej tyre në vendin e quajtur “Çiflik”, një pjesë tjetër në “Biçincë-Jurie” dhe të tjerët në shkollën fillore në qendër të qytetit. Pasi i grumbullonin në këto tre vende të gjithë meshkujt shqiptarë të qytetit, nga ana e dy kriminelëve të njohur komito-çetnikë të asaj ane, vojvoda Mikail Brodi dhe vojvoda Stanka Dimitrieviq, bëhej ndarja se cili prej tyre duhej vrarë me therje, cili me pushkë e, cili me dru. Përveç se u vranë në mënyrën më mizore, atyre u qe plaçkitur e tërë pasuria.
Është me rëndësi të vihet në dukje fakti, se pjesa më e madhe e të shpërngulurve gjatë viteve 1912 – ‘13, jetonte në kushte të mjerueshme, sepse tërë pasuria e tyre e tundshme dhe e patundshme, u ishte konfiskuar nga ana e pushtuesve sllavo-ortodoksë. Ndonëse ata dikur kishin qenë qytetarë dhe shtetas të Perandorisë Osmane, me krijimin e Republikës moderne të Turqisë (1923), pjesës dërrmuese të tyre iu mohohej shtetësia turke, me çka atyre ua vështirësuan edhe më shumë kushtet e jetesës.
Në këto rrethana, shumë prej tyre dëshironin të ktheheshin në vend lindjet e tyre, ku i kishin lënë shtëpitë dhe pronat e tyre, mirëpo këtë nuk ua mundësonin autoritetet pushtuese të Beogradit, të cilat u rekomandonin të akredituarave të tyre pranë Konsullatës së Stambollit, që gjatë dhënies së vizave hyrëse, të kenë kujdes që: “në mesin e tyre mund të ketë edhe të tillë të cilët dëshirojnë të futen në territorin tonë, me qëllim që të ngelin te ne”.
Përveç kësaj, ata e filluan një fushatë të gjerë ushtarako-policore, gjoja për kapjen e të arratisurve, përkatësisht të anëtarëve të ‘Lëvizjes Kaçake’, të cilët konsideroheshin krahu luftarak i Komitetit për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës (KMKK). Gazeta turke “TNIN”, shkruante se autoritetet e Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene (më tej MSKS), po zbatojnë një terror të paparë “ndaj popullsisë së atjeshme myslimane”. Si rrjedhojë e këtij terrori, shumë familje shqiptare ishin detyruar t’i braktisnin vatrat e tyre, për t’u vendosur në vende më të sigurta, pjesa më e madhe për në Turqi, kurse një pjesë e vogël brenda shtetit shqiptar.
Ndërkohë, Legata e Serbo-Kroate-Sllovene në Sofje, më 3 qershor, me radiogram njoftonte Ministrinë e Punëve të Jashtme në Beograd, për një vërshim të ri të popullsisë shqiptare myslimane nga Kosova dhe Maqedonia e sotme Veriore, për në Turqi: “…Në kohët e fundit, myslimanët nga territori ynë po emigrojnë në Turqi. Një numër i caktuar i personave të tillë, ngelin në territorin bullgar, për arsye se pushtetarët turq në pikën kufitare, i pengojnë të hynë brenda. Ata të shpërngulurit nga Serbia e Jugut (mendohet në Kosovën dhe Maqedoninë – Q. L.), tash nga Legata jonë në Sofje, kërkojnë t’u lejoj kthimin në vendin tonë…”!
Kjo legatë e shihte si “të padrejtë” nga ana e autoriteteve turke, pamundësimin e popullsisë për të hyrë në Turqi, për arsye se siç theksohej në radiogram: “ata janë të shpërngulurit të cilët”, para se ta lëshojnë vendin, “definitivisht janë deklaruar për qytetarë të Turqisë”, dhe se me këtë, “ata kanë të drejtë”, përderisa kjo çështje nuk merr ndonjë zgjidhje përfundimtare. Po në këtë periudhë kohore, Qeveria greke shfrytëzoi Traktatin e Lozanës, të 30 janarit 1923, për të kryer një spastrim etnik të Çamërisë, sipas së cilit do të bëhej këmbimi i popullsive turke e greke, në këto dy shtete.
Gjatë muajit qershor të vitit 1923, autoritetet greke dëbuan të gjithë banorët e 31 fshatrave shqiptare të Kosturit dhe Follorinës, të cilët arrinin në 33.000 vetë. Ndërsa në vjeshtën e atij viti, rritën presionin edhe ndaj Çamërisë. Shqiptarëve të kësaj krahine u ishte dhënë urdhër të lironin 75% të shtëpive, në të cilat do të vendoseshin refugjatë grekë dhe u ishte bllokuar shitja e pasurive. Ndërkohë, më 7 nëntor të vitit 1923, i dërguari i Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene nga Stambolli, i raportonte Beogradit, për takimin e tij me këshilltarin e lartë të MPJ-së të Turqisë, Mexhit Beun, i cili ia kishte përcjellë pakënaqësinë dhe brengën e madhe të qeverisë turke, rreth “eksodit të vërtetë të popullsisë myslimane” nga Kosova në Turqi.
Sipas Mexhit Beut, një dukuri e tillë ishte tejet brengosëse për Qeverinë e Ankarasë, e cila edhe ashtu “gjendet në rrethana të jashtëzakonshme me popullsinë e arratisur myslimane”, e cila, sipas Marrëveshjes së Lozanës, të nënshkruar më 30 janar 1923 midis Turqisë dhe Greqisë, kishte filluar të shpërngulej për në Turqi. Kjo situatë e rëndë si duket ishte shkaku kryesor që e detyroi Qeverinë shqiptare, të iniciojë riatdhesimin e popullsisë së shpërngulur shqiptare nga Turqia, për në shtetin shqiptar. Për këtë arsye, një delegacion shqiptar i udhëhequr nga Eshref Frashëri, kryetar i Kuvendit, Xhafer Vila, sekretar i parë i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Nezir bej Leskoviku, më datë 15 tetor 1923, arriti në Stamboll. Atë e priti delegacioni turk, i udhëhequr nga deputeti Shukri Kaja.
Gjatë negociatave të cilat zgjatën më shumë se një muaj, u shqyrtuan dhe u debatuan në imtësi kërkesat e të dy palëve. Ndër kërkesat më të rëndësishme të delegacionit shqiptar, ishin: pranimi i Shqipërisë si shtet i pavarur; rregullimi i çështjes së shtetësisë e, sidomos pranimi i shqiptarëve në Turqi, si shtetas të Shqipërisë; konventë doganore e tregtare; konventë post-telegrafike; shumë shqiptarë të cilët kishin shërbyer në Turqi si nëpunës, qoftë në ushtri apo në administratë, të kenë të drejtën e pensionit, pasi këta nëpunës në arkë kishin lënë mjete për pension… etj..
Palët negociuese, pasi ranë në ujdi për të gjitha çështjet, më 18 nëntor 1923, sigluan Marrëveshjen për Miqësi, midis Republikës së Turqisë dhe Republikës së Shqipërisë. Në preambulën e saj thuhej shprehimisht: “Republika e Turqisë nga njëra anë, dhe Shteti Shqiptar nga ana tjetër, duke i marr parasysh lidhjet e vendosura midis dy popujve gjatë unitetit politik pesëshekullor turko-shqiptar dhe duke e proklamuar bindjen reciproke të tyre të sinqertë se ajo lidhje nga momenti i vendosjes së marrëdhënieve midis dy vendeve, do t’i shërbej fatit dhe mirëqenies së dy popujve, kanë vendos që midis vete të nënshkruajnë Marrëveshjen për Miqësi…”.
Çështja e riatdhesimit të shqiptarëve të shpërngulur në Turqi, përfshihej në Kreun III, nenin 3 të Marrëveshjes, ku thuhej: “Ata të cilët janë të kombësisë shqiptare e të cilët deportohen në Turqi, ndërsa e kanë kaluar moshën 18 vjeç nga dita e implementimit të kësaj marrëveshjeje dhe në afat prej një viti, mund ta marrin shtetësinë shqiptare. Të gjithë ata të cilët shtetësinë shqiptare e marrin në këtë mënyrë, janë të detyruar që në afat prej një viti nga dita e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje ta lëshojnë territorin e Turqisë, në marrëveshje se nuk mund të kthehen më në të, njëkohësisht duke e shitur pasurinë e tyre të tundshme e të patundshme si dhe të kryejnë të gjitha pagesat dhe borxhet shtetërore e private dhe t’i ndërpresin të gjitha lidhjet. Deri te lëshimi i kufirit turk, këta do të konsiderohen si shtetas të Turqisë”.
Vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Turqisë, gjithsesi se nuk ishte në favor të politikës së atëhershme hegjemoniste jugosllave, prandaj ajo angazhoi diplomacinë e saj në Stamboll e Ankara, që të bëjnë çmos për ta penguar arritjen e marrëveshjes. Në këtë drejtim më aktive ishte Konsullata në Stamboll, e cila për çdo ditë njoftonte Beogradin, për rrjedhat e bisedimeve. Ajo, më 19 nëntor i raportonte MPJ-së në Beograd, për gjoja dështimin e negociatave. Mirëpo, një lajm i tillë, doli se ishte i pasaktë, sepse Marrëveshja për miqësi midis Turqisë dhe Shqipërisë, siç u tha më sipër, qe nënshkruar më 18 nëntor, ndërsa ratifikimi i saj u la të bëhej pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, të cilat do të mbaheshin po atë vit në Shqipëri. Ngjarjet e ndodhura në Shqipëri gjatë vitit 1924, të cilat janë të njohura për opinionin e gjerë, ishin shkas për vonesën e ratifikimit të Marrëveshjes. E njëjta u nënshkrua më 16 korrik 1925, pasi në pushtet u kthye Ahmet Zogu.
Disa muaj pas nënshkrimit të Marrëveshjes për miqësi, Qeveria e Republikës së Turqisë hapi Legatën e saj në Tiranë. Po kështu veproi edhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë, e cila në janar të vitit 1926, emëroi diplomatin e shquar shqiptar, Rauf Ficon, për ministër të plotfuqishëm dhe i dërguari i jashtëzakonshëm shqiptar në Ankara, ndërsa Asafa Xhuxhulin, për sekretar të parë të Legatës shqiptare në Stamboll. Nuk posedojmë të dhëna të detajuara për numrin e shqiptarëve të cilët kanë pranuar të riatdhesoheshin në Shqipëri, mirëpo dokumentet diplomatike jugosllave theksojnë qartazi për përpjekjen e pareshtur të Ahmet Zogut dhe të Qeverisë Mbretërore Shqiptare për riatdhesimin e tyre.
Kjo përpjekje nuk u ndal vetëm brenda afatit kohor të përcaktuar me marrëveshjen, porse vazhdoi edhe gjatë viteve të tridhjeta. Në shtator të vitit 1934, MPJ jugosllave, publikoi raportin e konsullit të përgjithshëm shqiptar në Stamboll, F. Dervishi, në të cilën përshkruhet aktiviteti i asaj konsullate në lidhje me riatdhesimin e shqiptarëve nga Turqia, dhe jehona e madhe që asaj kohe kishte mbizotëruar në mesin e të shpërngulurve. Një aksion i tillë ishte ndërmarrë nga drejtori i Reformës Agrare i Mbretërisë Shqiptare, Hoxhë Sali Vuçitërna:
“Me urdhër të asaj Ministrie dhe marrëveshjes gojore me drejtorin e Reformës Agrare, z. Sali Vuçitërnin, me rastin e ardhjes së tij në Stamboll, kjo përfaqësi nuk ka nguruar për ta zhvilluar aktivitetin e saj në mesin e emigrantëve nga Kosova të cilët gjenden në Turqi, që të kthehen në Shqipëri. Aktiviteti ka hasë në një sukses të plotë, aq shumë, saqë shumë familje kosovare, të cilët gjenden në Turqi, janë gati të nisen për Shqipëri. Në bazë të premtimeve të kësaj Konsullate, shumë prej tyre i kanë lënë vendet e tyre të caktuara nga ana e pushtetarëve turq dhe gjenden në Stamboll, të përgatitur për t’u nisur për Shqipëri. Shpenzimet e tyre të udhëtimit së bashku me shpenzimet e pasaportave, arrijnë shumën prej 4.000 frang ari….”!
Në kohën kur Qeveria shqiptare bënte përpjekje maksimale për riatdhesimin e një numri sa më të madh të shqiptarëve të dëbuar me dhunë nga jugosllavët, autoritetet greke ndërmorën një veprim të dhunshëm në Çamëri, duke instaluar një numër të madh të emigrantëve të ardhur nga Turqia, nëpër shtëpitë e shqiptarëve të Çamërisë. Për rrjedhojë, mira familje shqiptare të fshatrave të komunave Filat dhe Gumenicë, ishin regjistruar se dëshironin të shpërnguleshin për në Turqi.
Më 23 shkurt të vitit 1927, kryetarit të Republikës, Ahmet Zogu, i arriti një letër nga Çamëria, në të cilën thuhej se; çamët, për shkak vuajtjeve të shumta “pa shkolla, pa kurrfarë të drejtë njerëzore, të keqpërdorun nga nëpunësit grek, duan të hiknë, masi po vuajnë aq keq dhe askush nuk i bije pas, çfarë të bëjnë? Duket sheshazi,vazhdon letra, se Qeveria Greke do t’i shpërngul nga Çamëria. Prefekti i Janinës, duket se ka çue Hasan Hamitin t’i thotë, se po të nënshkruajnë nji akt se Qeveria Greke nuk i forcon, por duan vet të iknë, nuk ka me u pruë asnjë pengim. Sa për Qeverinë turke edhe kjo i pranon, po të kenë disa të holla me vete…”!
Në vazhdim të letrës, thuhej se Qeveria greke do ta dërgonte një nëpunës të vet për t’i regjistruar shtëpiat dhe pronat e shqiptarëve të Çamërisë, ku një pjesë do i blente Banka e Azisë së Vogël, ndërsa pjesën tjetër Banka Kombëtare e Greqisë. Krejt në fund të letrës thuhej se “ky minoritet i gjakut ton, ka me e lanë vendin e vet” për shkak dhunës që po përdoret nga autoritetet qeveritare greke, dhe se një pjesë e tyre; “po t’i pranonte Shqipnia, do shkojshin të bëheshin nënshtetas Shqiptar”.
Gjendja në Çamëri u përkeqësua edhe më shumë gjatë muajve prill-maj 1927, pasi Qeveria greke, ashtu siç edhe kishte paralajmëruar, në shtëpitë dhe pronat e shqiptarëve, vendosi një numër të madh të emigrantëve grekë nga Anadolli. Në një situatë të tillë, Dhoma e Deputetëve, në mbledhjen e mbajtur më 15 maj 1927, me propozim të deputetëve: Maliq Bushati, R. Kiçi dhe Kol Mjeda, vendosi ta thërret Qeverinë e Shqipërisë, për të dhënë shpjegime, mbi padrejtësitë që po u bëheshin shqiptarëve të Çamërisë nga ana e Qeverisë Greke. Në tekstin e propozimit thuhej se; përkundër premtimeve dhe zotimeve të Qeverisë greke dhënë para Lidhjes së Kombeve, ajo, ndaj elementit shqiptarë në Çamëri po zbaton një politikë të dhunshme dhe antinjerëzore.
“Sipas principit të minoriteteve, – vazhdon teksti, – këta në vend që të gëzojnë të gjithë të drejtat si nënshtetas grekër, po ju mohohet e drejta ma natyrale principijale e drejta e gjallimit. Me planget e shtëpiat e këtyre të mjerëve, janë instalue emigrandet e Anadollit të cilët me urdhën të Qeveris, gëzojnë krejt pasunin të këtyne si; bahçe, ullishta, kullosa dhe ara buke, tue i lanë të mjerët Çamë me vdekë nëpër udhë…”!
Ndërkohë, Xhafer Çela, Zenel Ypi dhe Shahin Ypi, i shkruajnë një letër kryetarit të Republikës së Shqipërisë, Ahmet Zogut, në të cilën shprehin brengën e tyre të thellë, për shkak se, një pjesë bukur e madhe e çamëve; “janë duke e shitur pasurinë e tyre”, me qëllim që të shpërnguleshin për në Turqi. Marrë në përgjithësi, Qeveria greke, në emër të shkëmbimit të popullsisë me Republikën e Turqisë, dëboi me dhunë të gjithë banorët shqiptarë në 83 fshatra të Çamërisë. Lidhur me dëbimin e popullsisë shqiptare nga Çamëria, bën fjalë edhe analiza hartuar në vitin 1932, nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Mbretërisë Jugosllave, në të cilën veç tjerash, thuhet:
“…Në krahinën e Çamërisë, nga Epiri Verior, ka emigruar numri më i madh i popullsisë shqiptare vendore dhe është vendosur në Turqi dhe Shqipëri. Pasuria e tyre shumë e madhe ka ngelur në territorin e Greqisë. Këtë pasuri Grekët e kanë përvetësuar dhe ua kanë ndarë muhaxhirëve nga Azia e Vogël…”.
Nga ana tjetër, autoritetet jugosllave, të frymëzuara nga Ligji për Kolonizim, të cilin Parlamenti turk e solli më 14 korrik të vitit 1934, që veç tjerash parashihte shpërnguljen e të gjithë turqve të Ballkanit për në Turqi, e panë si momentin kyç për shpërnguljen e tërësishme të popullsisë shqiptare e turke nga vatrat e tyre për në Turqi, dhe në tokat e tyre të vendoseshin kolonët sllavë.
Për këtë qëllim, Parlamenti jugosllav, në mbledhjen e mbajtur më 21 gusht të vitit 1934, bëri ndryshimin dhe plotësimin e nenit 55 të Ligjit për Shtetësi jugosllave, të miratuar gjatë vitit 1928, përmbajtja e të cilit ishte si më poshtë: “Jo sllavët të cilët në kuptimin e paragrafit të dytë të nenit 55, janë bërë shtetas të Mbretërisë, ndërpriten të jenë të tillë nëse pas hyrjes në fuqi të këtij Ligji e deri më 1 nëntor të vitit 1938, para organeve kompetente të pushtetit të shkallës së parë, ose në cilëndo përfaqësi tonën diplomatike apo konsullore në botën e jashtme, deklarojnë se tërhiqen nga shtetësia. Deklaratat të cilat i janë dorëzuar pushtetit të përmendur sikurse edhe përfaqësive diplomatike e konsullore nga ana e personave në fjalë, pas 1 nëntorit të vitit 1938, e deri në hyrje në fuqi të këtij Ligji, do të konsiderohen si të dërguara me kohë…”!
Me këtë ligj, të gjithë shtetasit e Jugosllavisë që nuk ishin të përkatësisë etnike sllave, u “mundësohej” të merrin shtetësinë e ndonjë shteti tjetër, dhe secili nga ata që merrte pasaportë të huaj dhe brenda vitit nuk largohej, atëherë autoritetet jugosllave e detyronte atë ta lëshoj Jugosllavinë. Në këtë mënyrë, një numër i madh i shqiptarëve, pasi Shteti shqiptar nuk i pranonte, u detyruan të shpërnguleshin për në Turqi, e cila, edhe pse deklaronte se nuk do t’i pranonte emigrantët shqiptarë nga Jugosllavia, ajo megjithatë u ofronte të gjitha lehtësirat për t’u vendosur në Turqi.
Rrjedhimisht, në fillim të vitit 1935, tashmë dëgjoheshin lajme për marrëveshjen jugosllave-turke për shpërnguljen e myslimanëve, kuptohet, shqiptarëve etnikë. Ministri i Brendshëm i Turqisë, do të deklaroj se; nga Republika e Turqisë do të sjell nga Jugosllavia 800.000 emigrantë. Shpërngulja e popullsisë shqiptare nga Jugosllavia për në Turqi, sipas diplomatit të shquar shqiptar, Rauf Fico, do të vazhdonte edhe më tej, sepse përbënte “interesin e përbashkët” turko-jugosllav, prandaj ai i propozonte Qeverisë Mbretërore Shqiptare, që t’i ndërmerrte të gjitha “masat e nevojshme për instalimin në Shqipëri” të atyre shqiptarëve, të cilët do të insistonin të linin Kosovën apo trevat tjera etnike shqiptare nën Jugosllavi.
Ndërkohë, konsulli i përgjithshëm jugosllav në Stamboll, në një analizë të hartuar në maj të vitit 1935, vlerësonte se; Qeveria jugosllave nuk duhej ta popullarizonte shpërnguljen e popullsisë shqiptare për në Shqipëri, për arsye se me këtë rritej popullsia e atij shteti dhe përforcohej “lëvizja irredentiste”, e cila edhe ashtu nxitej nga vetë shteti shqiptar. Në vend të kësaj, ai propozonte që shqiptarët të shpërnguleshin për në Turqi, sepse sipas tij; “ai element shqiptar” i cili shpërngulet për në Turqi, llogaritet si “element i humbur përfundimisht”.
Po në këtë periudhë kohore Dhoma e Reformës Agrare në Shkup, filloi një fushatë të gjerë të konfiskimit të tokës pjellore nëpër vendbanimet shqiptare. Aksioni parashihte që “fshatarëve shqiptarë, t’iu lejohej vetëm 0,4 hektar tokë për një anëtar të familjes”. Qëllimi kësaj politike antishqiptare, siç njoftohemi nga burimet e shumta të proveniencës policore e ushtarake jugosllave ishte “dëshpërimi i banorëve shqiptarë”, sidomos të fshatrave që shtriheshin buzë Malit Sharr e deri në hapësirën Kumanovë-Prishtinë, ku kompaktësia shqiptare ishte tepër e madhe. Autoritetet e Beogradit, shpresonin që përmes këtyre masave të ashpra agrare, do t’i detyronin shqiptarët t’i braktisin vatrat e tyre e të shpërnguleshin për në Turqi.
I dërguari i Mbretërisë Shqiptare në Beograd, Rauf Fico, i shkruante MPJ-së, se “me zbatimin e ligjeve të ndryshme të kolonizimit e të reformës agrare, me qindra familjeve Shqiptare, u janë zaptuar tokat ashtu edhe banesat”, dhe se ky ishte shkaku i vërtetë i emigrimit të shqiptarëve për në Republikën e Turqisë. Në raportin plotësues të datës 18 maj 1934, R. Fico njoftonte MPJ-në se, autoritetet jugosllave më 25 mars 1934, kishin urdhëruar banorët e fshatrave të rrethit të Gjakovës: Batush, Nivokaz, Moglicë, Brovinë, Palabardh, Stubëll, Berjah, Ponoshec, Popoc, Shishman, Babaj Bokës se “nuk mundin ma që t’i punojnë tokat e tyne, të cilat mirën prej reformës agrare…”! Memorie.al