Seanca për nevojën për ndryshimet kushtetuese është caktuar për më 18 gusht. Kjo qëndron në kumtesën e dërguar nga kabineti i kryeparlamentarit, Talat Xhaferi, pasi dje Qeveria dorëzoi nismën në shtëpinë ligjvënëse. Ky praktikisht është filtri i parë për shumicën e nevojshme për shkak se për këtë duhen më së paku 80 vota.
“Në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren, kryetari tashmë ka caktuar seancën për më 18 gusht në orën 10. Para se të shqyrtohet Propozimi në seancë plenare, në përputhje me rregullat, Propozimin do e shqyrtojë Komisioni për çështje kushtetuese, kryetar i të cilit është kryeparlamentari Xhaferi”, thonë nga Kabineti i Talat Xhaferit.
Ambasadori i BE-së David Geer kujtoi deklaratën e fundit të Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila tha se ka një iniciativë të re që në fakt është një plan për zhvillim më të shpejtë të të gjithë Ballkanit Perëndimor. Gir, i cili foli në gjuhën maqedonase, tha se është koha për të avancuar në rrugën evropiane.
“Këto janë mundësi të mëdha për Maqedoninë e Veriut, që varen nga ajo për të vazhduar në avancimin e reformave dhe të shfrytëzoni të gjithë mundësitë që me vendosmëri të keni progres në rrugën tuaj europiane”, deklaroi Dejvid Geer, euroambasador.
Edhe i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin perëndimor, Gabriel Eskobar tha se SHBA-të e përkrahin procesin e ndryshimeve kushtetuese.
“Fuqishëm mbështetim këtë hap të rëndë por të patjetërsueshëm, ndërsa gjithashtu jemi angazhuar me Qeverinë e re të Bullgarisë që të sigurohemi se nuk do të vendos kërkesa të reja pasi që Maqedonia e Veriut t’i përmbushë obligimet e veta nga marrëveshjet ekzistuese”, tha Gabriel Eskobar, i dërguari i posaçëm i SHBA-ve për Ballkan.
Tani pasi ndryshimet kushtetuese hynë në procedurë kuvendore, kryeministri Kovaçevski tha pret konsensus mbipartiak nga të gjithë deputetët ndërsa në deklaratën e sotme nuk ka asgjë të re se si do të sigurohet shumica e dy të tretave. Mendoj se 120 deputetët tanë do të kenë vizion dhe guxim që të sjellin vendim që do të thotë integrim europian për vendin tonë dhe e ardhmja më e mirë europiane, tha Kovaçevski.
“Pritshmëritë e mia janë se së pari do të kemi diskutim të frytshëm, debat konstruktiv dhe do të ketë konsensus mbipartiak për vazhdimin e integrimit europian të vendit. Për shkak se ja edhe euro ambasadori është këtu dhe shumë qartë thotë se tani nga ne varet nga vendimet që ne i sjellim si dhe nga mënyra dhe sa shpejtë do të vazhdojmë dhe do ta përfundojmë rrugën e integrimit europian. Vlerësoj se bëhet fjalë për ndryshime kushtetuese që nuk prekin në asnjë çështje të identitetit, dje u publikuan dhe nuk kishte asnjë koment negativ”, u shpreh Dimitar Kovaçevski, kryeministër,
Koment negativ përsëri arriti nga kryetari i opozitares VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, ndërsa nga deputetët e tij varet miratimi i ndryshimeve kushtetuese.
“Qeveria në mënyrë shtesë e komplikon procesin që definoi tekstin e ndryshimeve kushtetuese i cili jo vetëm që nuk është i pranueshëm por mund të them se është plotësisht i pakuptimtë dhe kështu siç është në mënyrë shtesë do të cenojë pozitat e Maqedonisë në suaza të progresit drejt anëtarësimit të plotfuqishëm në BE. Në cilën pjesë të përfundimeve të Këshillit të Europës, në cilën pjesë të kornizës negocuese dhe në cilën pjesë të Protokollit gjendet ky tekst i këtyre ndryshimeve kushtetuese”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Ndërhyrjet në Kushtetutë kanë të bëjnë me shtimin e pjesëve të popujve në Preambulën mes të cilëve edhe populli bullgar, si dhe në nenet 49 dhe 78.


