Raporti më i ri i Komisionit Evropian përsëri është me vlerësim pozitiv për reformat në gjyqësor, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Drejtësisë.
Në këtë raport sipas Ministrisë së Drejtësisë, është theksuar se shteti ka ofruar rezultate të dukshme me fokus të veçantë në reformat gjyqësore dhe hetimet proaktive, ndjekjen penale dhe gjykime përfundimtare për raste të korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë raste të nivelit të lartë.
Në raportin e KE-së, gjithashtu, siç potencojnë nga ministria është shënuar se ekziston “progres i dukshëm i realizuar gjatë përforcimit të pavarësisë së gjyqësorit”. Për konstatimin e tij raporti i referohet Komisionit të Venecias se “autoritet ishin konsistente me përpjekjet e tyre që t’i harmonizojnë ligjet të cilat kanë të bëjnë me sistemin e gjyqësorit në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe praktikave më të mira”.
Njëherit është theksuar edhe se Maqedonia e Veriut e përforcoi zbatimin e reformave të parapara në Strategjinë për reforma në sistemin e gjyqësorit, në të cilën adresohen rekomandimet nga “Prioritete urgjente reformuese”, rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe rekomandimet e grupit të ekspertëve të lartë për çështje sistemore nga sundimi i së drejtës.
“Vërehet se një varg ndryshimesh ligjore dhe ligje të reja u sollën duke filluar nga korriku i vitit 2018, si Kodi Penal, Ligji për Gjykatat, Ligji për Këshillin Gjyqësor, Ligji për Këshillin e Prokurorëve Publikë, Ligji për Kundërvajtje, Ligji për Konteste Administrative, Ligji për Notariat, Ligji për Përmbarim dhe Ligji për Ndihmë Juridike Falas. Në raport është shënuar se zbatimi i kornizës së re ligjore vijon, dhe se reformat sigurojnë transparencë më të madhe në emërimin e gjykatësve, se janë sjellë kritere të reja dhe të përforcuara për vlerësimin e gjykatësve dhe anëtarëve të Këshillit Gjyqësor”, informojnë nga Ministria e Drejtësisë.
Në kumtesë theksohet se në raportin e KE-së qëndron se “Këshilli Gjyqësor luan rol më të madh proaktiv edhe në mbrojtjen e rregullave të përmirësuara për përgjegjësi disiplinore. Nga korriku i vitit 2019, janë shkarkuar gjashtë gjykatës, përfshirë edhe kryetarin dhe dy gjykatësit nga Gjykata Supreme, si dhe tre gjykatës të tjerë (përfshirë edhe ish kryetarin e Gjykatës Penale në Shkup). I është marrë imuniteti një gjykatësi në Gjykatën Administrative në vitin 2019, si dhe për një nga anëtarët e Këshillit Gjyqësor i dyshuar për mashtrim në dhjetor të vitit 2019”.
Komisioni Evropian vlerëson se shteti ka realizuar sukses duke e miratuar Ligjin e ri për Prokurorinë Publike, ndërsa qëllimi kryesor i ligjit të ri, sipas Komisionit është të “sigurojë përgjegjësi për shkeljet e bëra të ligjeve dhe mbylljen e tërësishme, deri në aktgjykimi të formës së prerë, të rasteve të cilat i filloi PSP-ja”.
Njëherit, raporti flet pozitivisht edhe për mbikëqyrjen inspektuese mbi zbatimin e sistemit AKMIS, por edhe për miratimin e Ligjit të ri për Menaxhim me lëvizjen e lëndëve në gjykatat me të cilin mënjanohen mangësitë e theksuara nga mbikëqyrja inspektuese.
Të dhënat në Raportin e fundit sipas Ministrisë së Drejtësisë janë konfirmim për angazhimet e kësaj ministrie që ta reformojë gjyqësorin përmes përmbushjes së të gjitha rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe organizata të tjera relevante ose ekspertë.



