Pandemia me coronavirusin bëri që Qeveria të mbyllë për vizitorë qendrat rekreative. Njëjtë ishte edhe me Kodrën e Diellit, kurse sipas përfaqësuesve të shoqatës “Ta mbrojmë Kodrën e Diellit” me këtë rast edhe një sezon dimëror do të shkojë huq. Hamdi Sulejmani nga kjo shoqatë thotë se përderisa qendrat tjera në rajon do të punojnë, kjo qendër turistike do të përjetojë kolaps. “Qendrat tjera do të punojnë, kurse Qeveria jonë ka sjellë vendim që këto qendra mos punojnë, sepse nuk janë të përgatitura. Ky është një vendim i qëllimshëm ngase ata do të jenë të qetë që ne mos u parashtrojmë kërkesa për investime”, thotë Sulejmani.
Sipas tij, ky padyshim se është një vendim që do të dëmtojë qendrat dimërore. “Si në nivel qendror po ashtu edhe në nivel lokal ky është një vendim që u konvenon atyre, sepse nuk do të bëjnë asnjë investim. Pse këto qendra nuk do të punojnë kur dihet se qendrat tjera në vendet fqinje si në Kapaonik dhe në Banjsko do të punojnë, dhe do të kenë përfitime të mëdha. Arsyetimi do të jetë për shkak të pandemisë dhe kjo do të ketë pasoja edhe më të mëdha ekonomike për këto qendra dimërore”, shprehet Hamdi Sulejmani nga Shoqata “Ta mbrojmë Kodrën e Diellit”.
Ai më tej nënvizon se politikanët por edhe pushtetarët nuk janë të vetëdijshëm se çfarë përfitime do të ketë nëse investohet në Kodrën e Diellit. Edhe njohësit e rrethanave ekonomike në vend thonë se ndalesa për skijim në këtë qendër turistike do të ketë ndikim negativ në ekonominë e këtij rajoni.



