Është mbyllur protesta e 90-të qytetare kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, pas një tjetër mbrëmjeje me marshim në rrugët e Tiranës, thirrje kundër qeverisë dhe mesazhe për ndryshim politik.
Gjatë marshim janë dëgjuar thirrjet: “Ndryshim sistemi! Revolucion!”, “Arrestoni Ramën dhe Ballukun!” dhe “Shqipëri e rinisë, jo e partisë!”
Një pjesë e rëndësishme e protestës kanë qenë edhe pankartat, ku protestuesit kanë ironizuar nismat e reja të kryeministrit Rama, “Besa” dhe “Prania Besnike”. Një prej mesazheve të shpalosura në shesh ishte: “90 ditë, tre muaj. Një kërkesë: llogaridhënie”.
Gjatë protestës, qytetarët kanë kërkuar gjithashtu largimin jo vetëm të qeverisë, por edhe të asaj që e cilësojnë si “klasa e vjetër politike”.
Protestuesit kanë theksuar se Shqipëria duhet t’u përkasë brezave të rinj dhe jo interesave partiake.
Në shesh ka pasur edhe mesazhe të forta nga qytetarë të ndryshëm. Një prej tyre akuzoi Edi Ramën dhe Sali Berishën se kanë ndarë mes tyre aferat dhe kërkoi që drejtësia të veprojë ndaj të dyve. Ndërsa një tjetër protestuese e cilësoi sheshin si “tempullin e fjalës së lirë”, duke theksuar se pas 90 ditësh qytetarët duhet të ndërtojnë besimin se mund të ndryshojnë vendin së bashku.
Një moment i veçantë ishte fjala e një turisti të huaj, i cili tha se prej 10 vitesh viziton Shqipërinë dhe se është dashuruar me natyrën dhe mikpritjen e shqiptarëve. Ai tha se gjatë viteve të fundit ka parë ndryshime që e kanë shqetësuar, duke përmendur malet që digjen, lumenjtë e ndotur dhe zhvillimin e pabarabartë mes bregdetit dhe zonave malore.
“Unë besoj në revolucion, besoj në Shqipëri dhe besoj në ju!”, ishte mesazhi i tij për protestuesit.
Me përfundimin e marshimit të sotëm, mbyllet dita e 90-të e protestës qytetare, ndërsa qytetarët pritet të rikthehen sërish në shesh në ditën e 91-të.
The post Mbyllet protesta e 90, qytetarët nuk tërhiqen: Në shesh deri në largimin e Ramës! appeared first on Gazeta Shqiptare Online.


