Alsat 2019-08-31T15:35:21+02:00
Agjencia për Siguri Kombëtare e cila zyrtarisht, sipas ligjit të ri, do të fillojë me punë nga data 1 shtator, ka përzgjedhur vetëm 365 agjentë nga punonjësit e deridjeshëm të UBK-së. ALSAT mëson nga burime të tij, se përqindja e shqiptarëve në ASK është rritur në 16%, por ende larg kushtit për 25% përfaqësim të drejtë. Sipas ligjit të ri, ASK-ja tani është trup i pavarur, dhe nga data 1 shtator nuk është më nën kompetenca të Ministrisë së Brendshme. Ajo do të udhëhiqet nga drejtori Viktor Dimovski i zgjedhur nga Qeveria në qershor të këtij viti, i cili udhëhoqi edhe procesin e përzgjedhjes së kandidatëve, ndërkohë që zëvendës do të jetë Arif Asani, ish zëvendës edhe i DSK-së. Përfaqësimi 16% i shqiptarëve, ndryshe nga 10% që ishte në shifrat e deridjeshme të DSK-së nënkupton se shkurtimet janë bërë kryesisht në radhët e punonjësve maqedonas, si dhe për profesionalizmin e tyre. 16% është përmbushur kështu vetëm nga brumi aktual i punonjësve shqiptarë në ish DSK. I pyetur se kur do të përmbushet ky 25%, zv/kryeministri dhe eksponenti i BDI-së Bujar Osmani tha:
Gjatë emërimit të Drejtorit dhe aprovimit të sistematizimit në Qeveri, u kemi rikujtuar qartë obligimin kushtetues për përfaqësim të drejtë, veçanërisht në një institucion me ndjeshmëri të tillë dhe me nevojë për besueshmëri. Informacionet tona janë se fillohet me 16% përfaqësim, me arsyetimin se këto janë kapacitetet ekzistuese të Drejtorisë së deridjeshme për Siguri e Kundërzbulim. Mirëpo mbetet obligim i Agjencisë së re që të avancojë edhe numrin, edhe nivelin vertikal në afat sa më të shkurtër- deklaroi Bujar Osmani, Zv.kryeministër.
Të dhënat momentale flasin gjithsesi se nga mbi 650 punonjësit e DSK-së, ky numër është përgjysmuar. Pikërisht, përjashtimi nga kjo fazë e kontrollit tregon se një pjesë e madhe e të punësuarve kanë pasur probleme jo vetëm me integritetin e tyre, me lidhjet në shërbim të partive politike, të bizneseve etj., probleme që u hasën nga kontrolli që bënë institucionet e tjera shtesë sikurse policia financiare, drejtoria për kundërzbulim financiar etj. Megjithatë, burimet tona flasin se shifra aktuale prej 350 të përzgjedhurish në ASK mund të lëvizë pak më shumë ose pak më pak, varësisht zhvillimit ende të procedurave kontrolluese për një pjesë të tyre si dhe testin e mundshëm të poligrafit në një fazë të dytë në vazhdimësi. Ashtu sikurse ka njoftuar edhe më herët ALSAT, kandidatët janë përzgjedhur në bazë një sërë kushteve; që të të mos jenë në bashkësi martesore ose jashtëmartesore me punonjës të të njëjtës agjenci, të mos kenë interesa financiare, të mos kenë lidhje partiake, dhe as shtetësi të dyfishtë. ASK-ja e re nisi veprimtarinë e bartjes, me kritika për shkak të nisjes së procesit tranzitor pa kaluar më parë aktin e sistematizimit në qeveri. Si numri i përgjithshëm ashtu edhe pozitat drejtuese, ende mbeten pa u qartësuar nga drejtuesit e Agjencisë së re të pavarur. Agjencia për Siguri Kombëtare do të shoqërohet sërish me dilemat për ri-pozicionimin e të përjashtuarve, ose mundësinë e paditjes së MPB-së nga ana e tyre. Kjo Agjenci të jetë institucion i veçantë, jashtë Ministrisë së Punëve të Brendshmen dhe do të ketë funksion parandalues kurse të punësuarit nuk do të ketë autorizime policore. Në vitin 2020, ASK-ja do të zhvendoset edhe si vendndodhje, në ish ambientet e Makedonija Tabak, në Kisella-Vodë, pas rinovimit funksional të tyre.
Isuf Kadriu
Loading…



