Nëse me të vërtetë dëshiron të ndihmojë bujqit, Tripunovski, në vend se të përdorë gjendjen e jashtëzakonshme për të mbledhur pika politike dhe fotografi, mund të përfshihet në punën e Ministrisë së Bujqësisë dhe të paraqesë propozime konkrete. Por, deri tani ai nuk ka bërë një gjë të tillë. Asnjë propozim nuk është parashtruar nga Tripunovski për ministrin Trajan Dimkovski. E turpshme dhe jashtëzakonisht e papërgjegjshme është të përdorësh pozicionin e zëvendësministrit shtesë dhe gjendjen e jashtëzakonshme për interesa partiake dhe manipulime të bujqve.
Ky është reagimi që ka dërguar Ministria e Bujqësisë pas deklaratës së sotme të Tripunovskit para qeverisë, në të cilën akuzoi se bëhen shpenzime joproduktive, në vend se këto mjetë të rialokohen për të ndihmuar bujqit.
Sipas MBPEU, Tripunovski, i cili ka kohë që punon në institucione shtetërore në sektorin e bujqësisë, duhet të dijë të dallojë sesi bëhen ndryshime në programe, si ndërmerren masat dhe si të rialokohen mjetet financiare.
Me gjendjen e tanishme, MBPEU, siç thotë, planifikon ndryshime të përshtatshme dhe shpërndarje të mjeteve nga programet kombëtare për të ndihmuar bujqit, ndërsa nuk ka vonesë në pagimin e subvencioneve. Vetëm nga fillimi i vitit, deri më tani janë paguar rreth 85 milionë euro, ndërsa për më pak se tre vjet, 427 milionë euro.
“Promovimi i produkteve bujqësore të vendit në panaire ndërkombëtare është i rëndësishëm për rritjen e eksportit të produkteve tona dhe mbështetet financiarisht përmes Programit të zhvillimit rural. Që nga fillimi i vitit, vetëm dy panaire ndërkombëtare në Gjermani dhe Rusi, të cilat u mbajtën në muajin shkurt, janë mbështetur financiarisht. Me shpalljen e pandemisë globale dhe gjendjes së jashtëzakonshme në vendin tonë, janë anuluar të gjitha panairet ndërkombëtare, dhe në këtë periudhë, MBPEU nuk ka mbështetur ndonjë panair apo ngjarje lokale. Një pjesë e shumës së planifikuar për mbështetjen e panaireve dhe ngjarjeve lokale tashmë është rialokuar në pikat e investimeve kapitale dhe në detyrimet e marra dhe të vonuara nga vitet e kaluara”, qëndron në reagimin e Ministrisë.



