Në Likovë, dje u mbajt seanca e katërt e Këshillit të Përgjithshëm të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI). Sipas njoftimit nga BDI, kryetari Ali Ahmeti e thirri këtë seancë me qëllim diskutimin e zhvillimeve aktuale politike në vend, si dhe organizimit të mëtejshëm të brendshëm partiak në funksion të këtyre zhvillimeve.
“Me shqetësim u analizuan tendencat për grryerjen e Marrëveshjes Paqësore të Ohrit, e cila mund të ketë pasoja serioze për stabilitetin e vendit. Kërkojmë nga iniciatorët dhe zbatuesit e këtyre veprimeve që të tërhiqen nga të njëjtat dhe të vazhdohet me respektimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, si rruga e vetme drejt stabilitetit dhe avancimit të vendit drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimi Evropian”, thuhet në njoftimin e BDI-së.
Tutje, nga BDI thonë se janë të shqetësuar, pasi sipas tyre, pushteti po targeton ish-kryetarë komunash nga radhët e BDI-së,
“Gjithashtu, u konstatua me shqetësim se nga pushteti po vihen në shënjestër ish-kryetarë komunash që vijnë nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim, si z. Blerim Bexheti dhe z. Fatmir Dehari. Bashkimi Demokratik për Integrim nuk është kundër kontrollit dhe revizionit institucional, por kundërshton fuqishëm presionin politik dhe qasjen politike. Jemi për kontroll dhe transparencë, por jo për drejtësi selektive dhe të motivuar politikisht, siç po ndodh me rastet në Saraj dhe Kërçovë”, reagojnë nga BDI.
Nga BDI thonë se gjithashtu u diskutuan zhvillimet në Evropë dhe Lindjen e Mesme, u theksua ndikimi i ngjarjeve në Hungari dhe shqetësimi për paqen globale, si dhe u shpreh mbështetje për SHBA-në dhe dialogun për stabilitet. Po ashtu u raportua për procesin e organizimit të kuvendeve brenda partisë.


