15 Dhjetor
“Seanca e parë ndërqeveritare ngre në një nivel tjetër marrëdhëniet mes Maqedonisë dhe Shqipërisë”. Ky është qëndrim i përbashkët i të dy kryeministrave, atij maqedonas Zoran Zaev dhe atij shqiptar Edi Rama. Palët nënshkruan disa marrëveshje bashkëpunimi për infrastrukturë, ekonomi, siguri, kulturë dhe arsim. Rama kërkoi nga pala maqedonase të analizojë mundësinë e vazhdimit të aksit rrugor Bllatë – Shkup, për të kompletuar edhe matanë kufirit atë që njihet si Rruga e Arbrit. Duke vendosur theksin në vullnetin e Zaevit për përmirësim të marrëdhënieve ndëretnike, Rama kërkoi miratim të Ligjit të gjuhëve, si përmbyllje të Marrëveshjes së Ohrit. Ministritë e Kulturës të të dyja vendeve përkatëse, u angazhuan për shqyrtimin e mundësisë që objekti i Kongresit të Manastirit, të njihet si objekt i përbashkët i trashëgimisë kulturore.
Ndër projektet e përbashkëta të dy vendeve, Zaev theksoi ndërtimin e hekurudhës Kërçovë-Lin dhe projektin në fushën e energjetikës Manastir – Elbasan. Maqedonia dhe Shqipëria, shtoi Zaev, ndajnë vizionin e përbashkët për një rajon të integruar në BE dhe NATO.
Maqedonia dhe Shqipëria janë dy vendet me më shumë marrëveshje bashkëpunimi në rajon, por që deri tani, pothuajse asnjëra prej tyre, nuk është respektuar dhe zbatuar.
Delegacionet qeveritare, në kuadër të agjendës së tyre, gjatë ditës së nesërme do të vazhdojnë me një vizitë zyrtare në Pustec, në shenjë simbolike për komunitetin maqedonas që jeton atje. Në fund Zaev ftoi Ramën dhe Kabinetin e tij në një seancë tjetër të përbashkët në vitin 2018, për në Ohër ose Strugë.
Fatlume Dervishi

