Mbi dhjetë mijë të punësuar në Ministrinë e Brendshme do t’i nënshtrohen procesit të vetingut ose kontrollit në mënyrë që të profesionalizohet puna e policisë dhe kjo tërësisht të jetë e përfshirë në shërbimin e qytetarëve. Procesi është paralajmëruar një kohë më të gjatë, ndërsa vitin e kaluar ministri i Brendshëm Oliver Spasovski tha se vetingu do t’u bëhet të gjithëve në MPB – nga pastruesja e deri te ministri. Megjithatë, procesi ende nuk ka filluar, bëhet terreni për zbatimin e tyre, ligji për veting ende nuk është miratuar, ndërsa sipas planeve të grupit të punës propozim-ligji duhet të dorëzohet deri në prill, por këto projeksione janë bërë para vendimit që e morën liderët e partive politike në takimin te presidenti Stevo Pendarovski – më 12 prill të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Është formuar grup punues, i përbërë prej ekspertëve nga MPB-ja, bashkëpunëtorë akademikë, përfaqësues të sektorit joqeveritar, të OSBE-së, Ambasadës amerikane, janë ftuar edhe përfaqësuesit e delegacionit të BE-së dhe të Ambasadës britanike. Procesi ndërtohet në mënyrë të hollësishme, meqë bëhet fjalë për aktivitet të madh, i cili në asnjë rast nuk guxon të frenojë punën e policisë derisa zbatohet. Duhet doemos të bashkëpunohet me të gjitha institucionet, meqë nevojitet shkëmbim i informacioneve, e për këtë qëllim nevojitet sistem i shpejt efikas elektronik për shkëmbimin e të dhënave.
Ndërtohen metodologjia dhe mënyra në të cilën do të zbatohet – nga njëra ose disa komisione, në qëllimin përfundimtar është Miniсtria e Brendshme me kalimin e kohë vetë të ketë kapacitet të kujdeset për atë kë e angazhon në radhët e veta.
Vetingu njëlloj “ajrosje” në MPB
Grupi i parë i punës është formuar në gusht dhe ai kishte për detyrë të propozojë metodologji, gjegjësisht procedurë për zbatimin e vetingut në MPB deri më 1 tetor. Anëtarët e saj duhej t’i dorëzojnë Qeverisë informacione dhe propozim plan për zbatimin e kontrolleve në Ministrinë, gjë që është punë e mbaruar.
„Mendoj se kemi bërë punë shumë të mirë, kemi bërë një hap para nga një vend që nuk ka përvojë në raport me kontrollet jo vetëm në MPB, por edhe në përgjithësi në aparatin shtetëror nuk ekziston një përvojë e tillë. I kemi mbledhur përvojat më të mira edhe nga Shqipëria, por edhe nga Britania e Madhe dhe morëm disa njohuri të caktuara për zbatimin e vetingut në SHBA, por është herë të diskutojmë saktësisht dhe preciz në çfarë drejtimi do të zbatohen kontrollet, nëse do të ketë komision, nëse do të jetë ky një komision ose do të jenë disa nënkomisione ende është herët„, sqaron për MEDIAL-n kryetari i grupit të punës, dekani i Fakultetit të Sigurisë, Nikolla Dujovski.
Sqaron se grupi që tani do të fillojë aktivitetet e tij ka për qëllim të përgatisë propozim-ligj për zbatimin e kontrollit të të punësuarve në MPB dhe të përgatisë plan veprimi me data konkrete në të cilat do të ishin zbatuar aktivitete të caktuara.
„Ky komision me siguri nuk do të jetë ky grup punues, por do të jetë trup tjetër. Vetingu i parë në Britani të Madhe, ndaj me siguri edhe në Shqipëri është zbatuar nga komisioni i përbërë nga të punësuarit në MPB dhe nga personat e jashtë, faktor ndërkombëtar, bashkësi akademike. Por, ky proces është i vazhdueshëm, ky është proces, i cili do të tejkalojë karrierën tonë dhe prandaj është e rëndësishme që i pari të jetë i zbatuar nga grupi i përzier i punës ose komisioni e më pas ky proces të dorëzohet në MPB dhe ajo vetë të ketë kapacitet që t’i pastrojë në mënyrë të pavarur radhët e saj në bazë të kritereve reale matëse dhe të realizueshme që do të jenë të parashikueshme për veting„, sqaron për MEDIAL-n kryetari i grupit punues, dekani i Fakultetit të Sigurisë, Nikolla Dujovski.
Thekson se vetingu nënkupton ajrosje të MPB-së, është përcaktuar nevoja se të punësuarit duhet të kalojnë nëpër një proces të caktuar të kontrollit të integritetit me të cilin e ushtrojnë punën policore, më pas në raport me profesionalizmin e tyre dhe gjendjen e tyre pronësore.
„Si nëpunës shtetërorë ata kanë të ardhura të kufizuara dhe do të kontrollohet në bashkëpunim me institucionet tjera shtetërore se cila është gjendja pronësore e nëpunësve policorë. A është ajo proporcionale me të ardhurat që i kanë në MPB„, shton ai.
Magdalena Lembovska nga Eurothink në deklaratën për MEDIAL-n thekson se vetingu në MPB duhet të paraqes procesin e kontrollit në raport me integritetin profesional dhe personal që në fund duhet të rezultojë me “pastrimin” e policisë prej personave që nuk i kanë kualifikimet e nevojshme, kanë qenë të nënshtrueshëm ndaj korrupsionit ose kanë kontakte me kriminelë dhe grupe kriminale.
„Në këtë moment nuk kemi materiale të kapshme publike për metodologjinë e vetingut, por i njëjti duhet të përfshijë vlerësimin e gjendjes pronësore para dhe pas marrjes së detyrës në MPB, kontroll të sigurisë, si dhe kontroll të kualifikimeve në raport me vendin konkret të punës. E gjithë kjo do të duhet të përpunohet më hollësisht në ligjin që do t’i përcaktojë kriteret, dinamikën, kriteret për përzgjedhjen e anëtarëve të komisionit që do t’i zbatojë edhe aspektet tjera„, shton ajo.
Gjendja momentale në MPB
Numri i të punësuarve në MPB është mbi dhjetë mijë, ndërsa grupi i punës deri tani ka ndërmarrë hapa të caktuar për skanimin e gjendjes. I kanë informuar të punësuari në Ministrinë, i kanë vizituar thuajse të gjithë sektorët e punëve të brendshme, ndërsa ato që nuk i kanë vizituar do t’i vizitojnë në disa javët e ardhshme për t’i informuar se për çfarë procesi bëhet fjalë.
„Në këtë moment jemi duke shqyrtuar se si është gjendja e tanishme në Ministrinë që të mund të vlerësojmë se në çfarë drejtimi duhet të shkojmë në kontrollet për të tri bazat. Për atë se cila është gjendja reale e tanishme, nuk kemi rezultate përfundimtare meqë nuk kemi instrument se si t’i kontrollojmë, por me siguri derisa ta përgatisim zgjidhjen përfundimtare ligjore do të duhet të kemi edhe të dhëna të tilla që të mos shkojmë në kërcim në të zbrazët dhe të përballemi me problem të madh që do të ndikojë drejtpërdrejt në funksionimin e rregullt dhe normal të MPB-së. Si një nga parimet që i përcaktuam është se ky proces do të jetë i mirë për MPB-në, por assesi nuk guxon të ndikojë në punën e tij të përditshme,„ thekson Dujovski.
Lembovska thekson se vetingut duhet doemos t’i paraprijë një përgatitje e mirë në mënyrë që t’i adresojë problemet që në Ministrinë janë përkufizuar si problem.
„Por nuk mjafton vetëm të bëhet kontrollim i të punësuarve, por edhe të mënjanohen parregullsitë sistemore që kanë mundësuar në polici të punësohen dhe të përparojnë persona pa integritet personal dhe profesional. Për shembull, njëra prej dobësive më të mëdha është mungesa e politikave dhe akteve përkatëse për përkufizim, e lëre më për parandalimin e konfliktit të interesave në polici. Përveçse për punësimin e nëpunësve të rinj policor në nivelin më të ulët, procedurat për punësim në Ministrinë janë tërësisht jotransparente dhe në bazë të nivelit të lartë të diskrecionit, që është në korrelacion të drejtpërdrejt me rrezikun e lartë të korrupsionit„, shprehet ajo.
Sipas saj, nevojitet të përpilohet dhe të azhurnohet rregullisht regjistri dhe vlerësimi i rreziqeve nga korrupsioni në reparte të ndryshme të policisë që do të shërbejë si bazë për zhvillimin e politikave për parandalimin e korrupsionit me detyra konkrete, e jo vetëm angazhime deklarative siç ka qenë deri tani. Në pika të shkurtra, analizat e sektorit joqeveritar, por edhe vlerësimet e GREKO-s bëjnë të ditur se duhet të punohet edhe shumë në këtë fushë.
Lembovska thekson se nëse zbatohet me kujdes vetingu nuk do të duhej të ketë ngecje, e pasi të përfundojë duhet në fakt ta ngritë nivelin e profesionalizmit dhe efikasitetit të policisë.
„Megjithatë, duhet të merret parasysh se MPB-ja do të mbetet pa një pjesë të të punësuarve të saj dhe për këtë nevojitet plan për atë se kur dhe si do të plotësohen vendet e punës boshe,e me këtë rast të mos keqpërdoret procesi i punësimit ose risistemimit të kandidatëve tjerë “të përshtatshëm”. Sipas meje, procesi duhet të zbatohet prej sipër e poshtë, gjegjësisht së pari t’i përfshijë ata që janë në pozicione më të larta udhëheqëse. Pikërisht ky do të ishte testi që do të tregojë nëse me të vërtetë do të bëhet fjalë për kontroll substanciale nga e cila askush nuk do të jetë i kursyer ose vetëm reformë kozmetike ku do të pësojnë vetëm ata me rang më të ulët.
Tre deputetë si mbikëqyrës të grupit të punës
Grupi i punës ishte i përbërë vetëm prej profesionistëve nga MPB-ja, përfaqësues të bashkësisë akademike, nga sektorit OJQ janë përfshirë tri organizata – Transparensi Maqedoni, Komiteti i Helsinkit dhe Shoqata e Juristëve të Rinj, ka përfaqësues nga OSBE-ja dhe Ambasada amerikane, ndërsa ka propozim që të përfshihen edhe përfaqësues të Delegacionit të BE-së dhe të Ambasadës britanike.
„Kuptuam se është koha që për këtë të fillojmë të mendojnë seriozisht edhe politikanët dhe me qëllim që ta mbrojmë procesin prej çfarëdo ndikimesh politike, ftuam, iu drejtuam Kuvendit që të delegojë tre deputetë. Kur dhe si do të vendosë Kuvendi, ne nuk përzihemi në këtë. Presim që së shpejti të marrin informacion nëse dhe cilët deputetë do të ishin përfshirë së shpejti në rolin e mbikëqyrësve. Kjo është me rëndësi për procesin, për transparencën dhe për qytetarët„, thekson Dujovski.
Lembovska përfshirjen e partive politike e shikon më shumë si tregim të vullnetit politik për inkluzivitet të procesit që duhet të jetë njëlloj garancie se nuk do të vjen deri te keqpërdorimi i procesit nga partia politike në pushtet.
„Por, është ironike të flas për zbatimin e vetingut qëllimi i të cilit është të rezultojë me profesionalizim dhe depolitizim të policisë, ndërsa legjitimiteti i procesit të varet nga partitë politike. Komisioni i mbrojtjes dhe sigurisë duhet të luajë rolin e tij si komision parlamentar amë, por jo përmes pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë në procesin, por duhet të marrim përsipër përgjegjësinë për cilësinë e ligjit, si dhe për shfrytëzimin e mekanizmave ekzistues parlamentar për mbikëqyrje dhe kërkim të llogaridhënies nga pushteti ekzekutiv„, shton ajo.
Veting dhe zgjedhje të parakohshme
Planet e grupit të punës kanë qenë që ligjin ta propozojnë deri në prill, por ndërkohë janë paralajmëruar zgjedhje të parakohshme. Megjithatë, Dujovski thekson se vetingu është procesi i cili duhet shikuar mbi të gjitha këto zhvillime politike dhe se pa dallim të zgjedhjeve duhet të shtyhet edhe më tutje.
„Kuvendi gjatë periudhës së zgjedhjeve nuk do të punojë dhe nuk do të miratojë ligje dhe kjo do të mbetet çështje që do ta zgjidhë qeveria e ardhshme. Unë nuk jam i brengosur fare për këtë, puna dhe obligimi ynë nga Qeveria është që ta përgatisim procesin, kush do ta zbatojë dhe në çfarë mënyre mbetet të shohim më tutje. Në këtë moment dhe në këtë fazë neve nuk na nevojitet mbështetje financiare, e as çfarëdo përzierje e politikanëve. Bëhet fjalë për proces shumë të qartë dhe profesional i cili ka për qëllim t’i ndihmojë MPB-së që t’i profesionalizojë radhët e saj. Është mirë që ideja dhe propozimi vijnë nga brenda, është perceptuar se profesionalizimi dhe integriteti i nëpunësve policorë është vënë në pikëpyetje gjatë periudhës së kaluar ndoshta më gjatë se dy dekada dhe prandaj unë absolutisht nuk jam i brengosur se kush do të drejtojë MPB-në për shkak se më shumë bëhet fjalë për proces teknik, i cili nëse zbatohet në nivel të lartë do t’u lërë hapësirë jo vetëm MPB-së, por edhe institucioneve të tjera që kanë nevojë për një proces të këtillë„, sqaron ai.
Lembovska thekson se zgjedhjet e parakohshme dhe ajo se si do të bëjnë ngecje në reformat që janë në rrjedhë, e veçanërisht në raport me vetingun që si proces është në vetë fillimin.
„Unë dyshoj se do të arrijmë të miratojmë ligj për veting deri në shpërndarjen e Kuvendit, ndërsa edhe më keq do të ishte të miratohet ligj në procedurë të përshpejtuar, pa debat më të gjerë publike dhe konsensus për mënyrën në të cilën i njëjti do të zbatohet. Ndërrimi i udhëheqjes më të lartë politike është frenuesi plotësues. Nëse merret parasysh se synimi i Qeverisë teknike është që të pamundësojë keqpërdorimin e MPB-së për qëllime partiake në periudhën parazgjedhore, është e pritshme që fokusi më i madh i udhëheqjes së re të jetë pikërisht në organizimin e zgjedhjeve. Nga ana tjetër, duke marrë parasysh faktin se vetingu është njëri prej projekteve kryesore për të cilin angazhohet dhe prapa të cilit qëndron ministri aktual, nuk besoj se do ta lëshonte të zbatohet nën kapelën e ministrit teknik nga opozita„, konsideron ajo.
Nuk është i mundshëm veting pa ndërlidhje elektronike të institucioneve
Procesi i vetingut në MPB nuk mund të zbatohet pa bashkëpunim efikas me institucionet tjera shtetërore. Nevojitet shkëmbim i shpejtë dhe efikas i informacioneve, veçanërisht në pjesën e gjendjes pronësore, ndërsa në këtë moment institucioni i vetëm, i cili merret me këtë është Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit.
„Dhe tano do të kemi situatë në të cilën të gjithë të punësuarit në MPB dhe ata që janë në pozicione udhëheqëse, e që nuk janë të punësuar në MPB si ministri i Brendshëm, zëvendësi i tij, drejtori i BSP-së, sekretari shtetëror, zëvendësdrejtori, etj., thjesht të gjithë të kalojnë përmes procesit të kontrollit. Kur kësaj shifre do t’i shtohet shifra e funksionarëve shtetërorë do të bëhet fjalë për proces me të vërtetë serioz substancial vetëm me kontrollin e gjendjes pronësore. Me siguri do të paraqitet nevoja te një numër i caktuar i nëpunësve policorë që të shkohet edhe në shqyrtimin e gjendjes pronësore, e jo vetëm të kontrollit gjegjësisht zbatimit të listës anketuese me gjendjen reale faktike nga 17 institucione të ndryshme, Drejtoria e të Ardhurave Publike, Drejtoria Doganore, Kadastra e patundshmërive, etj.„, thekson Dujovski.
E gjithë kjo, theksoi ai, mund të shkaktojë pengesa të mëdha në zbatimin veçanërisht nëse merret parasysh se procedura e kontrollit zgjatë tepër gjatë. Shton se institucionet nuk kanë sistem elektronik që do të ndihmojë në shkëmbimin e shpejtë, saktë dhe cilësor e të dhënave.
Dujovski theksoi se janë në fazën e hapjes së hapësirës në sistemin e ardhshëm elektronik të KSHPK-së të ndërlidhet edhe MPB-ja në mënyrë që një pjesë të kontrolleve të mund t’i bëjë në mënyrë cilësore.
„Për shkak se procesi nuk do të ketë kuptim nëse mbetet ashtu siç është tani, e kjo është ecje në këmbë nga institucioni në institucion. Do të jetë e pamundshme që pa softuer elektronik të bëhen kontrollet. Afatet janë përcaktuar, ky grup punues do të ketë obligim që në disa muajt e ardhshëm të përgatisë zgjidhje ligjore, ta dorëzojë deri te ministri i Brendshëm, më pas procedura qeveritare dhe e gjithë kjo të përfundojë diku përafërsisht në kohën kur do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Si profesionistë që kemi marrë pjesë në punën e këtij trupi nuk shikojmë nga prizma e zgjedhjeve, do të vazhdojmë punën tonë„, thekson Dujovski.
Thekson se tani ndoshta nga gjysmë viti zgjatë kontrolli për një funksionar. – Paramendoni që me këtë shifër të ndërlidhen edhe ato mbi 10.000 të punësuar në MPB që do të duhet të kalojnë. Pikërisht për këtë arsye në propozimin e zgjidhjes ligjore ne do të jemi veçanërisht të kujdesshëm dhe nuk do të propozojmë fillimin e procedurës derisa gjithçka nuk do të jetë gati, shprehet Dujovski.
Duke и marrë parasysh tre kriteret sipas të cilave do të bëhet vetingu, potencon se këto do të thonë tri baza të ndryshme të të dhënave – për integritet policor, profesionalizëm dhe gjendje pronësore.
„Procesi më voluminoz është kontrolli i shqyrtimit të pronës dhe gjithashtu duhet doemos të jenë të mbrojtura rreptësisht, as politika, as cilado fuqi tjetër e jashtme të mos mund të ndikojë në të. Nevojitet zgjidhje cilësore, që do të jetë e qëndrueshme për shkak se çfarëdo ndikimi i jashtë në procesin do të jetë dështim i tij„, shtoi Dujovski.
KSHPK-ja në këtë moment është në fazë të përgatitjes së procedurës për furnizim publik për zgjidhje softuerike për çka gëzojnë mbështetjen e USAID-it, ndërsa Dujovski shprehet se deri në fund të muajit të ardhshëm duhet të përfundojë kjo procedurë.
„Nëse si profesionist më pyesin nëse tani, sot, nesër, ne kemi kapacitet të zbatojmë veting ju siguroj se nuk kemi. Këto kapacitete duhet tek tani të ndërtohen„, thekson ai.
Shembuj nga fqinjësia
Shembulli më i afërt dhe më i freskët është vetingu në Shqipëri, përvojë kjo që, siç përmendi Dujovski, e përdorë edhe MPB-ja jonë.
Në Shqipëri ky proces filloi në vitin 2016 me veting në gjyqësor, ndërsa ligji për veting në polici u miratua vitin e kaluar kështu që procesi është ende në rrjedhë.
Lembovska thekson se njëra prej vërejtjeve kryesore në Shqipëri është zgjedhja e komisionit që i bën kontrollet, meqë kriteret për veting në gjyqësor ishin shumë më rigoroze sesa ato për vetingun e policisë.
„Gjithashtu vërehet përfshirje e madhe e ministrit të Brendshëm, për dallim nga vetingu i gjyqësorit i cili ishte nën monitorimin e fuqishëm ndërkombëtar. Megjithatë, përvoja e tyre tregon se bëhet fjalë për proces të gjatë dhe të komplikuar, ndërsa niveli i lartë i krimit të organizuar dhe korrupsionit që është i pranishëm në Shqipëri tregon se do të nevojitet një periudhë e gjatë për të parë rezultatet, por edhe se vetingu vetvetiu është vetëm një hap drejt profesionalizimit dhe vendosjes së besimit në sistemin penal juridik„, thekson Lembovska për MEDIAL-n.



