Bie ndjeshëm numri i nxënësve, kriza demogafike kërcënon sistemin arsimor…
Greqia po përballet me një krizë demografike, e cila po sjell pasoja të rënda në arsim. Për vitin akademik 2025-2026, 721 shkolla nga gjithsej 13,478 do të pezullojnë aktivitetin për shkak të mungesës së nxënësve.
Sipas Ministrisë Greke të Arsimit, numri i mbylljeve është çdo vit në rritje. Krahasuar me vitin 2018-2019, ku u pezulluan 247 shkolla fillore dhe 312 kopshte, këtë vit shifrat kanë arritur në 324 shkolla fillore dhe 358 kopshte.
Fenomeni prek veçanërisht zonat rurale, por nuk përjashtohen qytetet e mëdha, përfshirë Athinën. Shumë shkolla nuk arrijnë më të plotësojnë minimumin e nxënësve të nevojshëm për funksionim.
Të dhënat tregojnë një rënie drastike të numrit të nxënësve. Për vitin e ri shkollor, popullsia studentore në Greqi pritet të jetë 1.21 milion, duke shënuar një rënie prej mbi 150 mijë nxënësish krahasuar me vitin 2018-2019.
Ekspertët paralajmërojnë se shkalla e ulët e lindjeve, emigracioni i të rinjve dhe plakja e popullsisë janë faktorët kryesorë të krizës.
Megjithëse, qeveria greke ka prezantuar programe për nxitjen e lindjeve dhe subvencione për familjet e reja, demografët paralajmërojnë se procesi i tkurrjes së popullsisë është i vështirë të ndalet pa politika të qëndrueshme dhe afatgjata.
Mbi 700 shkolla të mbyllura janë vetëm një shenjë e dukshme e një sfide kombëtare. Sistemi arsimor dhe tregu i punës në Greqi rrezikojnë të përballen me pasoja të pakthyeshme në dekadat që vijnë.
Klan News