Për shkak të anëtarësimit në shtyllën e dytë pensionale, rreth 300 pensionistë do të kenë pension më të ulët. Problemi është se, kur janë anëtarësuar vullnetarisht, askush nuk u ka thënë se për shkak të stazhit të punës, gjegjësisht moshës, ata nuk do të kenë kohë të akumulojnë mjete të mjaftueshme. Ish drejtoresha e Agjencisë për Supervizion të sigurimit kapital financiar pensional Zorica Apostolloska për TV21 tha se ky problem mund të zgjidhet vetëm me një ligj të ri i cili do t’u mundësonte këtyre pensionistëve t’u kthehen paratë, nga shtylla e dytë në shtyllën e parë pensionale. Sipas saj, në Maqedoni nevojiten të bëhen reforma në sistemin pensional, sepse sistemi aktual nuk është i qëndrueshëm në kohë afatgjatë.
“Duke e ditur se në çfarë gjendje ndodhet sistemi pensional, sigurisht se nevojiten reforma. Sa i takon modelit, për mendimin tim, ky model i sistemit pensional duhet të mbetet sepse paraqet një bazë për qëndrueshmëri afatgjate. Megjithatë, siç e dini, në vitet e fundit është bërë ndërhyrje në sistem me disa vendime që u morën, kështu që duhet të bëhet një reformë më e thellë”, tha Apostolloska.
Këtë problem e paraqiti para më shumë se dy javësh Avokati i Popullit në brifing me gazetarët. Megjithatë, deri sot e kësaj dite, nga ana e institucioneve nuk është ndërmarrë asgjë për zgjidhjen e problemit për këta pensionistë. Ministri për punë dhe politikë sociale, Ibrahim Ibrahimi thotë se këta 300 pensionistë nuk kanë stazh të njëjtë dhe prandaj nevojitet të formohen grupe të veçanta të cilat do të gjenin zgjidhje për secilin pensionist veç e veç.
“Me shoqëritë pensionale jemi duke mbajtur takime intensive. Presim takim edhe me Fondin për sigurim pensional dhe invalidor dhe me Agjencisë për Supervizion të sigurimit kapital financiar. Po i krahasojmë analizat dhe në javën e ardhshme do të dalim me të dhënat e para”, u shpreh Ibrahimi.
Anëtarësimi në fondet shtesë pensionale, për shumë persona nënkuptonte burim më stabil të parave për ditët e pensionit. Por për rreth 300 pensionistë në Maqedoni, ky percepcion mori një kahe krejtësisht ndryshe.