Zjarrfikësit tetovarë mbrëmë patën mbi 20 thirrje për intervenime përkatësisht pompim të ujit nga shtëpitë, oborret, bodrumet dhe rrugët e vërshuara. Shumica e shtëpive të vërshuara janë në fshatrat Reçicë e Madhe dhe Reçicë e Vogël. Reshjet intensive të shiut zgjatën disa orë, ndërsa sot paradite nuk pati reshje.
“Kemi mbi 20 thirrje nga qytetarët të cilëve u janë vërshuar shtëpitë, oborret, bodrumet. Zjarrfikësit në Tetovë akoma po intervenojnë tek nënkalimet në dalje të qytetit apo brenda në qytet ku ka dy nënkalime të tilla”, theksoi Avni Ameti, shef i Njësisë territoriale zjarrfikëse Tetovë.
Siç sqaroi Ameti, janë vërshuar disa pika kritike ku vazhdimisht ka probleme gjatë reshjeve më intensive të shiut.
“Në qytetin e Tetovës pati gjashtë pika të tilla, por intervenoi komuna, tani kemi tre pika kritike. Ato janë lagja Dereboj, nënkalimi për Falishe dhe fshatrat Reçicë e Madhe dhe Reçicë e Vogël. Në të kaluarën nuk është paraparë se si do të jetë për 10 apo 20 vite. Kështu kemi gypa të vegjël për kanalizim atmosferik të vendosur për 20 shtëpi, ndërsa tani ka nga 50 shtëpi. Është mirë që komuna e Tetovës bën plane për këto pika kritike për intervenim në infrastruktirën nëntokësore”, deklaroi Ameti.
Zjarrfikësit gjatë ditës së djeshme nxorën edhe disa automjete të cilat kishin ngecur tek nënkalimet e vërshuara.