21 ikona të vjedhura në kishat e Strugës dhe Dibrës, pas 9 vitesh pritet të kthehen në Maqedoninë e Veriut. Ato u gjetën nga policia e Shqipërisë në vitin 2013. Është një thesar kulturor dhe historik të cilin autoritetet e Maqedonisë po përpiqet ta rikthejnë. Ikonat ruhen në dy muze të Tiranës.
“Ky proces është tashmë në fazën përfundimtare. Procesi i kthimit është tashmë ligjërisht i rregulluar dhe i mbyllur. Shpresoj se deri në fund të vitit ndoshta do t’i kthejmë ato 21 ikona në Maqedoni”, tha Sasho Cvetkoski, Qendra hulumtuese për trashëgimi kulturore në ASHAM.
Shteti ka nisur një procedurë të dytë për kthimin edhe të 40 ikonave të vjedhura nga vendi, të cilat policia shqiptare i sekuestroi në Tiranë në prill të këtij viti e që ishin në mesin e 800 objekteve kishtare.
“Një sistem kompleks, shumë kompleks dhe delikat i zbulimit, gjetjes, identifikimit dhe madje edhe përgatitjes dhe rregullimit ligjor. Me kthimin e 20 ikonave të para, për herë të parë në historinë moderne të Maqedonisë po e realizojmë atë proces të rikthimit”, pohoi Sasho Cvetkoski, Qendra hulumtuese për trashëgimi kulturore në ASHAM.
21 ikonat e gjetura janë vjedhur nga kishat në fshatrat e Strugës Rodohozhdë, Burinec dhe Sellcë. Ndërkaq, mbi 1000 të tjera janë vjedhur nga Struga dhe Dibra. Janë gjetur rreth 60, ndërsa pjesa tjetër supozohet se kanë përfunduar në tregjet e zeza në Europë dhe Azi.