Vazhdon edhe më tej problem me mbeturinat përgjatë rrugës Zhelinë -Jegunoc. Përskaj kësaj rruge edhe sot e kësaj dite hidhen mbeturina të ndryshme, kryesisht inerte, por nuk mungojnë as mbeturinat e amvisërive. Ky problem tangon dy komunat e Pollogut, respektivisht Komunën e Zhelinës dhe Komunën e Jegunocit. Fenomeni i këtillë disa vjeçar, sipas autoriteteve të këtyre komunave, duhet të trajtohet në mënyrë institucionale në Qeveri, në Ministrinë e Ekologjisë dhe në Qendrën e rajonit planor të Pollogut ku gravitojnë të gjitha komunat e këtij rajoni. Problemi qëndron aty se bëhet fjalë për vend që është në mes të zonës së Komunës së Zhelinës dhe Jegunocit. Ajo që është më problematike në këtë pjesë të dy komunave është se mbeturinat janë inerte, kryesisht materiale ndërtimore, të cilat pastaj shkaktojnë shumë telashe për t`u larguar që andej.
Nga Komuna e Zhelinës kohë më parë theksuan për Gazetën Koha se disa herë kanë pastruar këto mbeturina edhe pse nuk janë në zonën e tyre. “Ne kemi njohuri për këtë problem që ndodh në atë vend. Mbeturinat jemi munduar disa herë t’i largojmë, por ai vend krijohet ideal për mbeturina për shkak të devijimit të shtratit të Lumit Vardar. Ne nuk kemi kompetenca që të veprojmë në shtratin e Lumit Vardar, sepse është i mbrojtur me ligj të veçantë. Prandaj edhe krijohen ato deponi dhe hidhen mbeturina që normalisht koston e përgjegjësisë morale e paguajmë edhe ne si komunë” kishte deklaruar kohë më parë kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu.
Pamja e këtillë vërehet edhe këtyre ditëve në këtë “tampon zonë” ku përgjegjësia nuk është në asnjërën komunë, prandaj edhe ndodh kjo dukuri. Mbeturina të shumta tashmë hidhen në të dy anët e rrugës, e cila lidh Komunën e Zhelinës me Komunën e Jegunocin, por deri më tash zgjidhje afatgjate nuk është gjetur që të mos lejohet hedhja e mbeturinave. Kryetari i Komunës së Zhelinës, kohë më parë ishte shprehur se këtë problem do ta iniciojë edhe në mbledhjen e kryetarëve të komunave të Pollogut. Për këtë problem është njoftuar edhe Qeveria dhe ministria përkatëse, respektivisht Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor. “Ne kemi kërkuar me shkrim që ky problem të zgjidhet dhe të mos ndodh fenomeni i devijimit të shtratit të Lumit Vardar dhe krahas kësaj kemi kërkuar që të zgjidhet problemi me këtë lloj mbeturinash. Duhet që edhe inspektorati i Ministrisë së Ekologjisë të del në terren dhe të gjobitë ata që hedhin mbeturina në atë pjesë që është pronë private dhe një pjesë pronë e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, ishte shprehur Sejdiu.
Nga Komuna e Zhelinës thonë se janë duke punuar për të gjetur një zgjidhje afatgjate dhe zgjidhja do të ishte që të ketë vend adekuat për hedhjen e mbeturinave ndërtimore.




