Stejt Departamenti Amerikan i Shtetit e ka bërë të qartë se ata mbështesin deklaratat dhe veprimet e ambasadorit të tyre Xhes Bejli, duke demantuar zërat e mediave proqeveritare se Bejli punon kokë më vete dhe kështu edhe tejkalon kompetencat e tij të ambasadorit. Ushtruesi i detyrës, zëdhënës i Departamentit të SHBA-së, Mark Toner ka shpjeguar se kërkesat e Bejlit për sundimin e së drejtës, zbatimin e Marrëveshjes së Përzhinos e të tjerë, janë bindje që vijnë nga Amerika dhe të përcjella nga Bejli.
“Direktivat e ambasadorit Bejli dhe ekipit të tij janë që të punojnë në partneritet me autoritetet e Maqedonisë por edhe me shoqërinë civile për përparim të politikës amerikane dhe qëllimeve të SHBA-së. Departamenti Amerikan i Shtetit ka besim të plotë në Ambasadën e SHBA-së dhe ambasadorin e Maqedonisë. SHBA si mik i Maqedonisë fuqishëm i inkurajon të gjitha palët që ta respektojnë sundimin e së drejtës, proceset demokratike dhe obligimet ndërkombëtare të Maqedonisë. Ne duam ta shohim Maqedoninë e fuqishme, në rrugën drejt rrugës euro-atlantike”, ka thënë Mark Toner, zëdhënës i State Departamentit.
Subjekte të ndryshme politike në Maqedoni kanë shprehur mbështetje dhe mirënjohje për punën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe amabsadorëve të saj në Maqedoni pas akuzave të VMRO-DPMNE-së se ata po përzihet shumë në punët e brendshme të shtetit dhe po tejkalojnë kompetencat e ndara. E para ka reaguar Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë, e cila ka kujtuar liderët politik për përgjegjësinë e tyre kur bëhet fjalë për të ardhmen e Maqedonisë.
“Mbështetja që SHBA-të ua kanë dhënë proceseve demokratike në Maqedoni dhe integrimeve euro-atlantike ka një rëndësi të veçantë për qytetarët e Maqedonisë dhe për ardhmërinë prosperuese të shtetit. Reformat demorkatike, sundimi i së drejtës, zbatimi i Marrëveshjes së Përzhinos, integrimi në NATO dhe BE, që Stejt Departamenti i cilësoi si shumë të rëndësishme për shtetin tonë, janë vullneti i shumicës së qytetarëve të Maqedonisë”, kanë reaguar nga LSDM.
Në këtë frymë, mbështetje për ambasadorin amerikan Xhes Bejli ka treguar edhe Lëvizja Besa duke siguruar se Bejli nuk ka tejkalohet kompetencat e tij diplomatike.
“Lëvizja BESA i bashkohet komunitetit të arsyes dhe logjikës në Maqedoni, duke i dhënë mbështetje të plotë ambasadorit Bejli. BESA konsideron se ambasadori Bejli në asnjë rast nuk i ka tejkaluar kompetencat e tij prej diplomati, ndërsa gjatë gjithë kohës ka qenë i përkushtuar në avancimin e demokracisë në vend. Për këtë arsye BESA gjen rastin që ta falënderojë ambasadorin Bejli dhe, në përgjithësi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e ofruar ndaj Republikës së Maqedonisë në rrugën e saj euro-atlantike”, kanë thënë nga Lëvizja BESA.
Lëvizja Për Reforma në PDSH ka vlerësuar se akuzat ose kritikat e VMRO DPMNE-së ndaj të dërguarve ndërkombëtarë janë tendencioze dhe të pavërteta pasi shtetet e BE-së po ndjekin procesin politik të Maqedonisë për shkak të synimit të vendit për anëtarësim në NATO dhe BE.
“Aleanca për Shqiptarët e cilëson këtë deklaratë si ndërhyrje politike në përcaktimet ideologjike dhe strategjike te qytetarëve të saj, dhe kthimin e bindjeve hermetike ndaj harmonizimit të politikave integruese në gjendjen vendnumëro. Shqiptarët e Maqedonisë, fuqishëm besojnë në misionin dhe qëllimin e Bashkimit Evropian duke kontribuar në vazhdimësi për t’u bërë pjesë e saj, njëkohësisht anëtarësimi në NATO, ngelet pikësynim dhe aspiratë e përhershme e shqiptarëve të Maqedonisë”, kanë reaguar nga LR-DPSH.
Reagimi i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe partive parlamentare të Maqedonisë vjen një ditë pasi mediat proqeveritare në Maqedoni plasuan një kronikë, ku thuhet se disa republikanë të Kongresit Amerikan e kanë akuzuar ambasadorin e SHBA-së në Maqedoni, Xhes Bejli, për anim politik dhe kanë kërkuar shkarkimin e tij.