Sektori për Krim Kompjuterik pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme ka lëshuar një paralajmërim urgjent për qytetarët pas shfaqjes së një mashtrimi të ri përmes mesazheve telefonike. Sipas autoriteteve, persona të panjohur po dërgojnë mesazhe nga numri i huaj +639606963624, ku pretendojnë se pronari i numrit ka kryer një kundërvajtje në komunikacion dhe duhet të paguajë gjobën menjëherë.
Mashtruesit i udhëzojnë qytetarët të klikojnë në një link që të dërgon në faqen e rreme “mvr.govmk.cam”, e cila është një kopje e paautorizuar e faqes zyrtare të MPB-së.
Pasi viktima klikon në link, i kërkohet të shënojë targat e automjetit dhe më pas hapet një dritare ku kërkohet pagesa prej 1.500 denarësh përmes kartelës bankare. Policia bën thirrje për kujdes të shtuar dhe apelon që asnjëherë të mos hapen vegëza (linqe) të dyshimta e aq më pak të lihen të dhënat personale ose ato të kartelave bankare, pasi këto informacione pastaj keqpërdoren për vjedhjen e parave nga llogaritë e qytetarëve.(INA)



