Një 75-vjeçar nga rrethina e Tetovës ka rënë pre e një mashtrimi financiar, duke humbur një shumë prej 2.000 eurosh. Rasti është denoncuar zyrtarisht në Sektorin për Punë të Brendshme (SPB) Tetovë, dje më datë 02.03.2026, rreth orës 15:10.
Sipas raportimit të policisë, viktima kishte rënë dakord me një person nga Tetova gjatë muajit tetor të vitit 2025 për punimin e dyerve të dhomave. Si garanci për kryerjen e punës, 75-vjeçari i kishte dorëzuar personit në fjalë shumën prej 2.000 eurosh në formë kapari.
Megjithatë, shërbimi i premtuar nuk u realizua asnjëherë. Kur denoncuesi e ka kontaktuar për të kërkuar llogari, personi i dyshuar fillimisht e ka siguruar se dyert do të mbaroheshin, por menjëherë pas kësaj ka ndërprerë çdo kontakt dhe është bërë i paarritshëm në telefon.
Nga SPB Tetovë njoftojnë se po ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit dhe dokumentimin e veprës penale.


