MASh: U formua Komisioni për tërheqjen e tekstit shkollor të Sociologjisë për vitin e dytë të gjimnazit

MASh: U formua Komisioni për tërheqjen e tekstit shkollor të Sociologjisë për vitin e dytë të gjimnazit

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) njoftoi se është formuar Komisioni për dhënien e propozimit për tërheqjen nga përdorimi të tekstit shkollor të miratuar – Teksti shkollor i Sociologjisë për vitin e dytë në arsimin e mesëm – gjimnaz, transmeton Portalb.mk.

Komisioni brenda afatit ligjor prej 10 ditësh duhet t’ia dorëzojë propozimin ministrit të Arsimit dhe Shkencës. Formimi i Komisionit pason pas vërejtjeve të opinionit publik, veçanërisht nga fusha e ekspertëve.

“Procesi gjithëpërfshirës për përmirësimin e cilësisë së përmbajtjes edukativo – arsimore dhe eliminimin e diskriminimit dhe stereotipeve është më efektivi dhe për këtë arsye MASH-i mundëson që opinioni të përfshihet në procesin e tërheqjes së gabimeve të natyrës së ndryshme dhe përmbajtjes së papërshtatshme në tekstet shkollore. Ju njoftojmë se është krijuar e-mail adresa ([email protected]) ku mund të dërgohen komente dhe vërejtje për tekstet shkollore në përdorim”, thanë nga MASh.

Nga atje shtuan se në periudhën e kaluar janë sjellur disa vendime për tërheqjen e teksteve shkollore të miratuara, për të cilat kishte reagime.