Alsat 2020-03-27T15:59:47+01:00
Procesi edukativo arsimor online tashmë po zhvillohet në forma të ndryshme nga shkollat fillore dhe të mesme. Secila prej tyre ka gjetur mënyrën më të përshtatshme për të lidhur kontaktin mësues-nxënës me qëllim zhvillimin e mësimit në distancë për shkak të virusit korona. Nga Ministria e Arsimit edhe një herë kujtojnë udhëheqësit e shkollave se janë të detyruar të gjejnë formën e komunikimit të dyanshëm për zhvillimin e mësimit online. Sipas MASH-it, E-klasa ose platforma nacionale e unifikuar për vijimin e procesit edukativ-arsimor “online” është mundësi shtesë për ta lehtësuar mësimin në distancë.
Është diçka shtesë për gjithë qytetarët e interesuar, për nxënësit e interesuar por edhe mësimdhënësit e interesuar ku përpunohen tema të caktuara, përmbajtje të caktuara në përputhje me programin mësimor. Atë që e bëjnë mësimdhënësit çdo ditë nëpërmjet komunikimit të vazhdueshëm, nëpërmjet mjeteve të komunikimit elektronik ku kemi shkëmbim të të dhënave dhe zhvillim të procesit arsimor pa pjesëmarrjen fizike, ajo është e detyrueshme. Aq, më tepër kur e kemi parasysh dispozitën në dekrete se mësimdhënësit mund të bëjnë edhe vlerësimin dhe notim të nxënësve në përputhje me angazhimin e tyre të treguar gjatë kësaj periudhe- deklaroi Arbër Ademi, ministër I Arsimit dhe Shkencës
Ademi, pranoi se në E-klasa ka mungesa të shumta të video-leksioneve në lëndë caktuara. Për këtë, ai apeloi mësimdhënësit të krijojnë sa më shumë video të tilla dhe në këtë mënyrë të tregojnë edhe shkathtësitë e tyre për mësimin online. Ai tha se notimi i nxënësve mund të mbetet në kompetencë të mësimdhënësve, edhe pse këtë të fundit akoma nuk ka një vendim përfundimtar.
Mësuesi Satki Ismaili nga shkolla fillore “Kirili dhe Metodi” në Tetovë tashmë 10 ditë po zhvillon mësimin online me nxënësit e tij. Ai pranon se ka vështirësi, por shton se gjithçka varet nga vullneti dhe shkathtësitë e mësimdhënsve.
“Nga kjo javë un fillova pak më ndryshe. Kam marrë një dërrasë të bardhë, ku nxënësit shikojnë krejt çfarë punoj unë. . Ata japin sqarime, tregojnë, do të thotë komunikojmë edhe ka suksese por ka edhe vështirësi mjaft. Unë nisem nga fakti se shumë me rëndësi është që fëmijët të përvetësojnë dituri, nota është një numër. At numër, at vlerësim ne do ta bëjmë, do të gjejmë mënyra se si. Vlerësuesi I mirë di të vlerësoj edhe në këtë formë të mësimdhënies. Mësimdhënësi I cili nuk di të vlerësoj si duhet vështirë e ka edhe në klasë kur I ka nxënësit”
Dy ditë më parë zyrtarisht nisi të zbatohet E-Klasa ose platforma nacionale e unifikuar për vijimin e procesit edukativ-arsimor “online”. Në faqen elektronike www.eduino.gov.mk
tashmë janë vendosur video-leksionet e para nga mësimdhënësit për lëndë dhe klasa të caktuara. Sipas MASH-it deri në këto momente janë realizuar 320 video mësime, prej tyre mbi 60 janë në gjuhën shqipe. Ministria apelon që familjet që nuk kanë internet ose pajisje komunikimi duhet t’i njoftojnë kujdestarët e klasave.
Melihate Rustemi
Loading…




