Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, gjatë mbledhjes së Komitetit Teknik të Ekspertëve, tha se ka persona që paguajnë për të marrë dokumentin e vaksinimit, ndërsa shtoi se s’kanë struktura të shumta për të gjurmuar këto raste.Ndër të tjera, Fico nënvizoi se distancohen totalisht nga këto raste dhe se nëse policia do të kërkojë ndihmën e tyre, ato do të jenë të gatshëm ta japin.
“Besoj se Instituti i Shëndetit Publik, nuk ka ndjekjen e rasteve kriminale të mos kryerjes së vaksinës dhe marrjes së një dokumenti. Nuk jemi as strukturë të këtij kapaciteti.
Distancohemi të gjithë edhe ata që kanë përfunduar dje fakultetin e mjekësisë, distancohemi nga këto akte. Së pari ndikojnë në shëndetin e popullatës. Së dyti e rëndësishme është që pavarësisht çmimit, ne nuk kemi asnjë mënyrë për ta ndjekur këtë gjë. Nëse autoritetet na kërkojnë mbështetje për gjurmimin e këtyre rasteve, do të jemi aty pa hezitim”, tha Fico.
Drejtoresha e ISHP pranoi se ka persona që kanë ndërruar jetë nga COVID-i, edhe pse i kishin bërë të dyja dozat e vaksinave, ndërsa i cilësoi si hipotetike zërat se ata mund të kenë vdekur sepse nuk e kanë aplikuar vaksinën dhe janë pajisur me dokumente fiktive.
“Ka disa elementë në kohën që ne kalojmë që janë hipotetike deri në marrëzi. Sot e rëndësishme është që jemi të qartë se sa kemi të vaksinuar që kanë pësuar një fatalitet dhe është e pamundur në kohë pandemia, të kesh mundësi të kesh këtë gjë nëse ndonjëri prej atyre do të pësojë fatalitet, se kishte bërë gjoja vaksinë”, përfundoi drejtoresha e ISHP.