Fillimisht duhet cekur se marrëveshjet e Brukselit (e 19 prillit 2013 dhe e 25 gushtit 2015), si edhe ajo e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi janë kundër kushtetuese. Ato bien ndeshë me shumë nene të Kushtetutës, duke filluar me nenet: 1, 2 e 3 etj., të saj. Në nenin 1 të Kushtetutës shkruan: “Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm”. Në paragrafin 2 thuhet: “Republika e Kosovës është shtet i shtetasve të vet….”. Pra Kushtetuta thotë qe Republika është shtet i shtetasve të vet, ndërsa, “Zajednica” është e serbëve, vetëm në variantin shqip thuhet me shumicë serbe. Ndërsa, akoma më i saktë është neni 2 i cili thotë: “(2) Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me këtë Kushtetutë dhe me ligj”. Neni vijues (3) paragrafi 2 shteti ynë përcaktohet: “Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera e cila qeveriset në mënyrë demokratike….”. Ndërkaq, Bashkësia e Komunave Serbe, është përcaktuar vetëm për serbet, gjithë të tjerëve ju bihet vi, sikur ata të ishin të pa qenë. Në shoqërinë demokratike, çdo privilegj i një grupi, nënkupton diskriminimin e grupit tjetër ose i grupeve të tjera. Në cilin standard evropian mund të mbështetet kjo? Marrëveshja e 25 gushtit bie ndesh edhe me nenin 79 të Kushtetutës, i cili përcakton qartë se kush ka të drejtë të merr nisma legjislative. Këto marrëveshje bien ndeshë edhe me nenin 102.2, i cili thotë se: “Pushteti gjyqësor është unik, i pavarur, i drejtë, apolitik, e i paanshëm dhe siguron qasje të barabartë në gjykatë”. Askund në Kushtetutë nuk përmendet përkatësia kombëtare e gjyqtarëve, ashtu si përmendet në marrëveshjet në fjalë. Madje, më marrëveshjet në fjalë, ky sistem nuk është unik.
Deri tani është folur e shkruar goxha shumë, janë dhënë argumente të ndryshëm për dhe kundër, kryesisht “argumente” politik e jo profesional. Konsideroj që duhet ta shohim se çka shkruajnë dokumentet politiko-juridike që po apostrofohen shpesh. Po e fillojmë me dokumentin bazik të shtetit të Kosovës, me Kushtetutën e Kosovës, e cila është hartuar në bashkëpunim të plotë dhe marrëveshje si me faktorin Evropian e pa ashtu edhe faktorin përcaktues SHBA në hartimin e Kushtetutës, pasi ekspertet kryesor ishin amerikanë. Përfaqësuesit kosovarë (kishte edhe përfaqësues të komuniteteve etnike), më tepër kanë pasur rol politik sesa rolin e ekspertit. Pasi edhe ata që ishin ekspertë i mbronin qëndrimet politike të liderëve politik, të cilët në bashkëveprim me Ambasadoren e SHBA-ve, zonjën Tina Kajdanov, i kishin dhënë disa korniza politike sesi do të dukeshin institucionet kryesore të shtetit. Por, kjo është një çështje tjetër. Në trajtimin tonë do të merremi kryesisht me çështjet që kanë të bëjnë me Asociacionin e Komunave që parashihen në Kushtetutën tonë, në Kartën Evropiane dhe Dokumentin Gjithë̈përfshires për Zgjedhjen e Statusit Politik të Kosovës, të njohur edhe si Dokumenti i Ahtisarit. I gjithë̈ angazhimi, i vendorëve dhe i ndërkombëtarëve (amerikanë dhe evropianë), ka qenë që Kushtetuta e Kosovës të jetë e harmonizuar me standardet euro-perëndimore.
Në Kushtetutën që është në fuqi, në nenin 124.2 thuhet: “Themelimi i komunave, kufijtë, kompetencat dhe mënyra e organizimit dhe funksionimit të tyre, rregullohen me ligj” dhe ligji ynë̈ ketë çështje e përcakton shumë qartë. Ndërsa në pikën katër(4) thuhet: “Komunat kanë të drejtë për bashkëpunimin ndërkomunal dhe për bashkëpunimin ndërkufitar, në pajtim me ligjin”. Po ashtu, në pikën gjashtë (6) të të njëjtin nen shkruan: “Komunat obligohen të respektojnë̈ Kushtetutën, ligjet, dhe të zbatojnë̈ vendimet gjyqësore”. “Veprimtaria e organeve të vetëqeverisjes lokale bazohet në këtë Kushtetutë dhe në ligjet e Republikës së Kosovës dhe respekton Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale”, thuhet në nenin 123.3 e Kushtetutës. Pra, për këto çështje, Kushtetuta e jonë është shumë e qartë dhe në përputhje me standardet që dalin nga Karta evropiane e vetëqeverisjes lokale. Ky dokument standard, nga i cili kanë dalë edhe normat tona kushtetuese e ligjore. Në ketë dokument, shkruan: “E Drejta e autoriteteve lokale për asocim (anglisht: asociacion, shqip: bashkim, serbisht: udruženje)”. Në nenin 10.3. shkruan: “E drejta e autoritetit lokal për të qenë pjesë e një asociacioni (anglisht: asociation, shqip: bashkim, serbisht: udruženja)…duhet të njihet nga çdo shtet”. Në asnjërin nga dokumentet e përdorura asociacioni i përdorur në gjuhën angleze, në shqip përkthehet si bashkim (përdoret edhe si: asociacion) e në gjuhën serbe: udruzhenje.
Në harmoni më ketë që u tha, edhe dokumenti i Presidentit Ahtisari është në përputhje me Kushtetutën dhe Kartën evropiane për vetëqeverisjen lokale. Kjo shihet nga nenin 9.1, shkruan: “Bazuar në parimet e Kartës Evropiane për Vetëqeverisje Lokale, komunat do të kenë̈ të drejtë të formojnë̈ dhe marrin pjesë në asociacionet (anglisht: asociation, shqip: bashkim, serbisht: udruženja) e komunave të Kosovës për mbrojtjen dhe promovimin e interesave të tyre të përbashkëta në pajtueshmëri me ligjin”….? Siç po shihet, në të gjitha dokumentet e përmendura, ka harmonizim të plotë mes tyre dhe më të gjitha këto nuk pajtohen vetëm më atë̈ që thuhet në marrëveshjet e Brukselit, e cila është diskriminuese për shumicën shqiptare, por edhe për komunitetet e tjera të Kosovës.
Të njëjtat marrëveshje, bien ndesh edhe me Ligjin tonë për vetëqeverisjen lokale, në neni 31, të ligjit shkruan:” Të drejtat e komunave për të formuar asociacione (anglisht: asociation, shqip” bashkim (asociacion), serbisht: udruženja)”. Në pikën 31.1.shkruan: “Për mbrojtjen dhe promovimin e interesave të tyre të përbashkëta, komunat formojnë̈ dhe marrin pjesë në Asociacionet (anglisht: asociations, serbisht: udruženja) që funksionojnë̈, në pajtim me ligjin”. Në asnjë akt juridik që i përmendem nuk thuhet se këto çështje rregullohen me marrëveshje, përveçse me ligj.
As në Ligjin e Serbisë, për qeverisjen lokale, ashtu si edhe ligjet e ngjashme të vendeve tjera në fqinjësi, kudo aplikohet përafërsisht e njëjta formulë: “bashkëpunim” dhe “udruženje” (shqip: shoqatë), pra kemi një̈ harmonizim ligjor për bashkëpunimin ndërkomunal edhe askund nuk ka ndonjë̈ specifikimin si bashkëpunim dhe asocim mbi baza ekskluzivisht etnike, ashtu siç parashihet në marrëveshjen e 25 gushtit 2015. Madje edhe me Kushtetutë, Republika e Kosovës është shtet i qytetarëve të barabartë. Për këdo që i lexon me vëmendje parimet e marrëveshjes për “Zajednicen” dhe dokumentet që i apostrofuam më lartë, do të habitej më këmbënguljen e kryeqeveritarëve tanë̈ për të mbrojtur emërtimin absurd “Zajdnic”. Është tepër e çuditshme pse këta njerëz kanë pranuar që vetëm Kosova të aplikojë formulën e famshme të “Zajednices” e cila është përdorur më parë vetëm në komunat serbe të Bosnje Hercegovinës, e njëjta në fund ka rezultuar si “Republika Srpska”!?
Përfundimi
Në Kushtetutën e Kosovës, që është baza e sistemit tonë politik e juridik, emërtimi “Zajednic”, bie ndeshë, si me shkronja e fjalë, me përmbajtjen dhe me frymën e saj. Nuk ka asnjë dyshim, se ky riemërim bie ndesh me të gjithë̈ termet e tjera të përdorura në Kushtetutë e ligjin ekzistues për vetëqeverisjen lokale. Gjithashtu nuk ka asnjë dyshim se “Zajednica e Komunave Serbe” e rrënon gjithë̈ sistemin politik e kushtetues të Republikës së Kosovës, e cila është e standardizuar me kartën evropiane për vetëqeverisjen lokale. Gjithsesi kjo bie ndesh edhe me Dokumentin (Pakon) e Presidentit Ahtisari, për faktin se as ky dokument nuk ka pasur mundësi të bie ndesh me standardet e vendosura evropiane për decentralizimin. Pasi ky dokument është hartuar nga ekspertë të BE-së. Se çka ka ndodhur kësaj radhe në Bruksel, nuk me është e qartë?! Nuk kam asnjë dyshim, se e gjithë̈ përgjegjësia në ketë rast bie mbi dy Kryeministrat e fundit te Republikës së Kosovës, Hashim Thaçin dhe Isa Mustafën, të cilët i kanë udhëhequr bisedimet e Brukselit.