Me vëmendje të veçantë përcolla ngjarjen e së dielës ku Bashkimi Demokratik për Integrim shpalosi para qytetarëve draft-programin e vet zgjedhor për mandatin 2016-2020, duke u bërë thirrje qytetarëve që të përcjellin deri te kjo parti propozimet, idetë dhe komentet e tyre, në mënyrë që së bashku të hartojnë një program ku do të inkorporoheshin të gjitha ato propozime që do të konsideroheshin të dobishme dhe të mundshme në aspekt të realizimit.
Gjatë gjithë kësaj kohe m’u kujtua dijetari gjerman Hederlin, i cili në kohën e tij thoshte që ne nuk jemi asgjë, por kërkesat tona janë gjithçka dhe mbi të gjitha. Ç’është e vërteta, mënyra e realizimit të kërkesave tona i japin kuptim dhe përmbajtje proceseve shoqërore dhe mbarë shoqërisë. Shoqëria nuk formohet dhe zhvillohet vetëm me realizimin e kërkesave individuale, por me realizimin e kërkesave të përgjithshme shoqërore me bazë juridike, morale dhe politike, të cilat padyshim që e ngrisin homogjenitetin dhe kohezionin shoqëror.
Duke marrë parasysh se në Maqedoni jemi para zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, është e nevojshme kontrata e re shoqërore me qytetarët, në trajtën e platformës politike e zhvilluar në frymën e filozofisë politike të Rusos. Shoqëria që do të konsolidohej përmes kësaj kontrate shoqërore do të duhet të krijoj kushte për mirëqenie ekonomike, politike, sociale dhe të sigurisë, bazuar në ligjin, të drejtën dhe barazinë njerëzore. Nga kontrata shoqërore e Zhan Zhak Rusos del teoria e sovranitetit popullor, e cila ne vete ngërthen pikëpamjen e mostjetërsimit të së drejtës së popullit që vet në mënyrë sovrane të vendos për fatin e vet. Duke u mbështetur në këtë qëndrim, konsideroj se të gjithë ne duhet të bëhemi hisedar në përpilimin e programit zgjedhor të kësaj partie, aq më tepër kur matjet e ndryshme të opinionit na tregojnë se e njëjta parti gëzon përkrahje më të madhe nga populli, dhe se rrjedhimisht si parti fituese ajo edhe do të na përfaqësoj në qeverisjen e vendit. Një qasje e këtillë konsideroj se të gjithëve na bën të përgjegjshëm për fatin e secilit prej neve.
Të dashur miq, legjitimiteti i pushtetit politik nuk duhet të mbështetet në forcë, siç e kemi te Hobsi, por në sovranitetin popullor apo në vullnetin e përgjithshëm, i cili duhet të jetë burim i lirisë, barazisë dhe ligjit. Kjo kontrate e re me qytetarët e manifestuar në një platformë të një partie që përfaqëson organizimin më të madh politik ndër shqiptarët e Maqedonisë duhet të parasheh se udhëheqësit e popullit duhet të posedojnë dhe të demonstrojnë vlera të larta etiko-morale dhe njerëzore, dhe se çdoherë duhet të kenë parasysh se vullneti i përgjithshëm i popullit është ai që përcakton kahjen e zhvillimit te proceseve shoqërore. Sajimi i vullnetit unik politik, të përfaqësuar me institucionin e sovranit, është i ndërmjetësuar me marrëveshjen mes individëve për ta themeluar shtetin dhe shoqërinë. Në këtë drejtim, siç theksonte edhe Hobsi në veprën “Leviathan”, çdo individ do të duheshe t’i thoshte çdo individi tjetër “e autorizoj këtë njeri apo këtë kuvend njerëzish dhe ia jap të drejtën time që ta udhëheq veten time, me këtë kusht që edhe ti t’i japish të drejtën tënde dhe t’i autorizosh të gjitha aksionet e tij në të njëjtën mënyrë”.