Dy dekada më parë, Marrëveshja e Ohrit te shqiptarët krijonte ndjenjë triumfi, dy dekada më pas, përpos se te “pushtetarët e përbetuar”, te të tjerët krijon ndjenjë përbuzjeje, sepse e kanë kuptuar hilenë e 13 gushtit. Në editorialin e numrit të fundit të Revistës Shenja, kryeredaktori Ismail Sinani shkruan se pyetja e parë thelbësore sot është se çfarë ishte ajo marrëveshje, çfarë duhet të ishte, çfarë është dhe çfarë duhet të jetë në të ardhmen? Pyetja e dytë thelbësore është se çfarë paraqet korniza si emërtim i përbrendësuar i këtij dokumenti, që gjithsesi i ka epitetet për të qenë historik?
Ismail Sinani, kryeredaktor i Revistës SHENJA
“Fiks 30 vjet më parë, kur shqiptarët ishin përgatitur të bëheshin hisedarë të këtij shteti, perceptimi i maqedonasve për shtetin e tyre ndërlidhej me “universin serb”. Si vëllezër të vegjël të serbëve, maqedonasit e viteve të ‘90-ta të shekullit të kaluar e pandehnin veten super të fuqishëm karshi shqiptarit të diskriminuar në shkollim, të skamur e të përbuzur. Maqedonasit e asaj kohe ishin të kufizuar në mënyrën e artikulimit të ri shtetëror. Bindja se janë ‘të fortë’ bashkë me serbët dhe ‘sovjetët’ i shtynte të mendonin se ‘shqiptari nuk çon më krye’. Rrjedhimisht, në këtë mënyrë edhe u hartua kushtetuta e parë, e cila në thelb kishte antishqiptarinë”
Sinani shkruan se shansi historik për barazi të plotë qytetare u lëshua nga dora, ndërsa edhe, sot pas dy dekadash, shqiptarët ende flasin për shkallë të përfaqësimit, për çështje gjuhësh, për tabela dygjuhësore… E ndërkohë asetet më të fuqishme në shtet, vazhdojnë t’i kenë të tjerët.
“Partia e Marrëveshjes së Ohrit – BDI, dy dekada rresht në çdo cikël zgjedhor flet për përmbyllje dhe realizim të plotë të saj, ani pse ajo e cunguar siç ishte, do të duhej të ishte implementuar qysh në vitin 2004. Njëjtë sikurse Don Kishoti, lideri i BDI-së zotohet se i ka mundur mullinjtë e shumë dragonj, për të sjellë paqen n’ahi”, shkruan Sinani.
Ndërkohë, opinionisti Bardhyl Zaimi, në shkrimin e publikuar në Revistën SHENJA, shkruan se Marrëveshja e Ohrit do të duhej të ishte një paradigmë tjetër e konceptimit të shtetit tashmë të Maqedonisë së Veriut, por me shumë interpretime të mjegulluara dhe tërësisht të reduktuara kjo marrëveshje është degjeneruar në kontinuitet në fraza boshe, në ripërsëritje dhe në rikthim momentesh arrogante që janë prodhuar nga polarizimet politike sidomos në kampin politik maqedonas dhe të pakundërshtuara sa duhet nga protagonistët politikë të kampin politikë shqiptar.
Bardhyl Zaimi, opinionist, Revista SHENJA
“Gjithë kjo më tepër i adresohet partisë shqiptare në pushtet, BDI, e cila me një ndërprerje të vogël tashmë gati dy dekada është në pushtet. Sigurisht edhe në kampin opozitar nuk ka arritur që të krijohet një kundërvënie më e fuqishme në raport me vonesat dhe shtrembërimet në implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Sidoqoftë, tashmë kanë kaluar dy dekada nga kjo marrëveshje e paqes, ndërkohë që implementimi i saj nuk ka arritur t’i përmbushë pritshmërinë e shqiptarëve për barazi të plotë në shtetin tashmë të Maqedonisë së Veriut”.
Zami shkruan se Marrëveshja e Ohrit, si kornizë, si frymë, në fakt duhej të ndërtonte shtetin multietnik në gjithë planimetrinë konstitucionale. Por, ai thekson se, siç mund të shihet deri më tash, pas dy dekadash, fryma e kësaj marrëveshjeje rëndë “përvijohet” në institucionet e shtetit, rëndë “përvijohet” në definimet që sigurojnë barabarësinë e plotë të shqiptarëve në shtet. Shembull tipik për këtë mbetet ngërçi i pafundëm i zbatimit të Ligjit të Gjuhëve, i cili pavarësisht nga përpjekjet, nuk arrin që të gjejë zbatim. /SHENJA/




